Ndërlidhjet

logo-print

ANDERSON:"KOALICIONI LDK - AAK ËSHTË OPCIONI MË I SHËNDOSHË PËR KOSOVËN"


Alex ANDERSON, shef i Zyrës së Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG) në Kosovë


EVROPA E LIRË
Zoti Anderson, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova e ka nominuar zotin Bajram Kosumi si kandidat për kryeministër të Kosovës. Si e vlerësoni Ju këtë zhvillim?

ALEX ANDERSON
Mendoj se kjo është pritur, madje edhe gjatë vizitës së zotit Solana të martën, kur zoti Solana e ka moderuar qëndrimin e tij. Dhe, deri të martën ne kemi parë se edhe Bashkimi Evropian edhe zyrat e tjera ndërlidhëse diplomatike në Kosovë janë angazhuar sërish për një koalicion të gjerë qeverisës, ndërkohë që kemi pasur një rezistencë të fortë ndaj kësaj ideje nga Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që insistonin se koalicioni që kishin ndërtuar nëntorin e kaluar, ka prodhuar diçka që mund të cilësohet si qeveri funskionale, një qeveri që ka punuar si ekip dhe duket sikur kjo ide ka qenë mjaft shumë e pëkrahur nga përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm, Jessen Petersen dhe ky është propozimi që fitoi.
Unë mendoj se ky është ndoshta opcioni më i shëndoshë. Ky koalicion ndërmjet LDK-së dhe AAK-së u bë si rezultat legjitim i zgjedhjeve të tetorit, ndërsa përpjekja për t’ua imponuar një konfiguracion tjetër të qeverisë këtyre partive, kundër vullnetit të tyre, do të ishte një shkelje e këtyre rezultateve të zgjedhjeve. Unë mendoj se duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë faktit se të kesh opozitë politike në Parlament është një përvojë e re për Kosovën. Kultura politike këtu, ndoshta nuk është mjaft e zhvilluar për të ofruar garanci dhe mundësi të mjaftueshme për opozitën politike dhe kjo është një çështje që duhet shqyrtuar në ditët e ardhshme. Vetë fakti se takimi ndërmjet presidentit Rugova dhe zotit Thaçi, si lider i partisë më të madhe opozitare, PDK-së, ishte në vete një senzacion që mbuloi ballinat e gazetave të këtushme, tregon se ende ekziston diçka jo shumë e shëndetshme në kulturën politike të Kosovës, gjashtë vjet pas luftës. Këto takime duhet të jenë ndodhi e përditshme për politikën kosovare të liderëve të dy partive më të mëdha. Ndoshta është koha të mendohet seriozisht se si të zvogëlohen tensionet ndërmjet këtyre partive, të cilat mbajnë strukturat e tyre informative që kanë mbajtur marrëdhënie shumë të tensionuara dhe gati luftarake ndërmjet tyre, për të pasur një situatë të tillë politike.

EVROPA E LIRË
Zoti Anderson, ka pasur pohime të ndryshme se Kosova ndodhet në një krizë institucionale. Cili është mendimi juaj?

ALEX ANDERSON
Ne e patëm këtë qeveri, që e vazhdoi punën, natyrisht pa dinamizmin dhe kompetencat që i shfaqte zoti Haradinaj, në një mënyrë të shëndoshë, duke u përpjekur ta lëvizte shoqërinë shqiptare të Kosovës në një drejtim shumë më të përgjegjshëm, lidhur me trajtimin e pakicave dhe drejt një ndjenje pronësie ndaj procesit të përmbushjes së standardeve. Mirëpo, kjo qeveri si vazhdimësi e asaj, ka zgjatur për një kohë paksa panevojshëm të gjatë, përpara se ta kishim të qartë punën e qeverisë së re dhe gjatë kësaj kohe ne pamë disa ngjarje siç ishin shpërthimet që në njëfarë mënyre erdhën në kohën e kësaj atmosfere të tensioneve politike. Kjo shtyrje ka krijuar hapësirë për shpërthimet e tilla, përfshirë edhe atë që goditi konvojin e presidentit Rugova dy-tri ditë më parë. Mendoj se kishte një paqartësi të madhe se cili nga modelet e koalicionit do të fitonte, mirëpo tani duket se kjo çështje po zgjidhet dhe na duhet të shikojmë më seriozisht për krijimin e standardeve dhe të mundësive për opozitën. Këto standarde dhe mundësi nuk kanë ekzistuar gjatë 100 ditëve të administrimit të Haradinajt, pasi në njërën anë administrata e UNMIK-ut ishte përqendruar të punojë në një periudhë të një përvoje të re për ta, siç ishte dinamika e një qeverie të përgjegjshme që ishte e aftë të punojë në mënyrë koherente si ekip dhe nuk i kushtoi aq shumë vëmendje opozitës. Gjatë kësaj periudhe, nga ana e saj, PDK-ja ndoshta e ndryshoi rolin e saj opozitar, si për shkak të pritjeve për aktakuzën kundër Haradinajt dhe duke mos dashur të veprojnë në mënyrë agresive në një atmosferë të tillë, ashtu edhe për faktin se ndoshta në PDK besohej se nëse ngritet aktakuza, PDK-ja sërish do të kthehej në krye të qeverisë. Ndoshta, për këtë arsye besuan se nuk do të jenë shumë gjatë në opozitë, prandaj ndoshta nga PDK-ja nuk kishte ndonjë përpjekje për të nxitur dhe shfrytëzuar rolin dhe mundësitë që në një situatë tjetër do t’i kishte kërkuar roli i pozitës. Kjo tani ka ndryshuar dhe duket sikur roli i opozitës do të vijë si një zgjerim i sistemit politik të Kosovës dhe mendoj se ky është një evoluim i mirë dhe opozitës i duhet kushtuar më shumë vëmendje, qoftë nga qeveria, qoftë, nga UNMIK-u, por edhe nga ana e shoqërisë civile.

EVROPA E LIRË
Kur përmendët standardet zoti Anderson, nga këndvështrimi Juaj, cilat janë gjasët që kjo qeveri e re të arrijë standardet dhe të lëvizë drejt bisedimeve për statusin?

ALEX ANDERSON
Qeveria e ka përparësinë e vazhdimësisë, pasi shumica e ministrave do të mbeten të njëjtit dhe ekipet do të mbeten të njëjtat. Mungon zoti Hardinaj si një forcë drejtuese dhe energji prapa saj dhe prandaj mendoj se shumë njerëz vënë shenjë pikëpyetjeje te zoti Kosumi se sa mirë ai do të jetë në gjendje ta mbushë vendin e zotit Haradinaj dhe këtu mbetet edhe dilema. Unë mendoj se një nga përparësitë më të mëdha të zotit Haradinaj ishte mbjellja e besimit duke thyer disa tabu, të cilat duheshin thyer, siç ishte ideja për dialog me Beogradin, për dialog me serbët, madje edhe qasja ndaj çështjeve siç ishte nevoja që shqiptarët të kërkojnë falje në instancat ku shqiptarët do të mund të kenë prekur jetët e serbëve të pafajshëm. Dhe, për këtë mendoj se zoti Haradinaj është kritikuar shumë nga opozita. Ky lloj besimi mund t’i mungojë qeverisë së re, por pavarësisht nga kjo, vetë fakti se qeveria është një ekip që do të jetë i aftë të vazhdojë programin e punës, ofron një besim se do të ketë lëvizje përpara drejt standardeve. Mendoj se për opozitën, apo për PDK-në kjo do të jetë një dilemë interesante. Polikisht, nga këndvështrimi i partisë opozitare, taktika klasike në këtë situatë do të ishte që të përpiqen ta sulmojnë qeverinë nga këndi nacionalist, siç tashmë kemi parë për shembull kur sipas PDK-së plani i qeverisë për decentralizimin paraqet një lloj largimi nga interesat e Kosovës, se është një përgatitje për ndarjen etnike apo copëtimin e Kosovës, apo ndoshta do të shohim një afrim më të madh të opozitës kah linjat më nacionaliste, apo qortimet nacionaliste ndaj opozitës. Mirëpo, duke e bërë këtë ata do të rrezikojnë, apo do të sfidojnë standardin mbi politikën e decentralizimit të bashkësisë ndërkombëtare.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI

XS
SM
MD
LG