Ndërlidhjet

logo-print

KOSOVA-TEMË E BISEDAVE TË ZYRTARËVE TË LARTË TË BE-SË ME PRESIDENTIN E SERBISË TADIÇ


Augustin Palokaj, Bruksel

Presidenti i Serbisë Boris Tadiç ka pranuar sot në Bruksel se procesi i gjetjes së statusit të Kosovës është nisur dhe ai më nuk mund të ndalet, prandaj edhe Beogradi është i interesuar të luajë një rol konstruktiv në këtë proces. Tadiç sot në Bruksel është takuar me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana dhe me komisionerin e zgjerimit Oli Ren. Që të dy këta zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, i kanë thënë qartë mysafirit nga Beogradi se presin një rol konstruktiv gjatë këtij viti, sa i përket Kosovës, duke patur parasysh rëndësinë që ka ky proces edhe për rajonin. Havier Solana ka thënë se BE-ja pret kyçjen e serbëve në grupet punuese për standardet dhe po ashtu përfshirjen e tyre në institucionet e Kosovës. Oli Ren, komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerimin, nën kompetencat e të cilit tani është edhe Ballkani, ka thënë sot në Bruksel se për BE-në është me rëndësi edhe kyçja e Beogradit në procesin e gjetjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Ai ka thënë se Komisioni Evropian, së bashku me Havier Solanën, kanë marrë mandat për të përpiluar një dokument për të ardhmen evropiane të Kosovës, që do ta paraqesin më vonë gjatë pranverës. Presidenti i Serbisë Boris Tadiç, është shprehur sot në Bruksel se është i gatshëm që së shpejti të takojë dhe liderët shqiptarë të Kosovës dhe atyre t'ua shpjegojë qëndrimet e tij.
"Unë mendoj se ne duhet të kyçemi në grupet punuese, sidomos në ato për decentralizim në Kosovë, sepse e shohim decentralizimin si çështje që është e lidhur ngushtë me statusin përfundimtar të Kosovës, ka thënë Boris Tadiç. Ai ka shtuar se për momentin Beogradi është vetëm një i jashtëm në këtë proces dhe nuk është i kënaqur me atë që është arritur deri tani në procesin e decentralizimit në Kosovë. Tadiç ka përsëritur se ai nuk mbështet pavarësinë e Kosovës, sepse e sheh një zgjidhje të tillë si destabilizuese për rajonin.
Bashkimi Evropian i ka bërë të qartë Beogradit se si kusht për afrimin në integrimet me BE-në është edhe roli konstruktiv në proceset në Kosovë, si dhe bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës. Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë thënë edhe sot se bashkëpunimi i Beogradit është duke shkuar në drejtim të duhur, por ende nuk është në nivelin që kërkohet. Komisioneri Oli Ren, ka thënë sot se presin sidomos arrestimin dhe dorëzimin në Hagë të dy gjeneralëve Pavkoviç dhe Lukiç, të akuzuar për krime në Kosovë, duke nënvizuar se në 10 vjetorin e masakrës së Srebrenicës, nuk duhet harruar as gjenerali Radko Mladiç, i cili ndonëse është shtetas i Bosnje-Hercegovinës, mund të ndodhet në territorin e Serbisë. Nëse Beogradi bën përparim gjatë ditëve që vijnë, atëhere Komisioni Evropian ka paralajmëruar të përfundojë punën në studimin e fizibilitetit për të hapur negociatat me Serbinë dhe Malin e Zi për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

XS
SM
MD
LG