Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS PRITET TË ZGJEDHË KRYEMINISTRIN TË MËRKURËN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të mërkurën, për të zgjedhur kryeministrin dhe qeverinë e re të Kosovës. Qeveria do të udhëhiqet sërish nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka kandiduar tashmë Bajram Kosumin për kryeministër, çka është mbështetur dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, si partner qeverisës dhe nga presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Vendimi që kryeministri dhe qeveria e re të zgjidhen të mërkurën, është marrë sot në Kryesinë e Kuvendit. Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike në kryesi, Fatmir Sejdiu, tha se shpresonte që të mërkurën Kuvendi do të përmbyllë kaptinën e zgjedhjes së qeverisë së re:
“Pika qëndrore do të jetë zgjedhja e qeverisë së re, përkatësisht kryeministrit të nominuar dhe listës së ministrave të deponuar nga ai dhe besoj se Kuvendi do të ketë nevojën urgjente që të bëhet të themi një mandat i ri i qeverisë së Kosovës”, tha Sejdiu.
Në anën tjetër, Naim Maloku, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se partnerët e koalicionit qeverisës, kanë disponim dhe vota të mjaftueshme për të zgjedhur qeverinë:
“Pika e parë e rendit të ditës të mërkurën në orën 10:00 do të jetë zgjedhja e qeverisë së Kosovës, pra me kandidatin e nominuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Disponimi është në rregull, është pika e parë e rendit të ditës dhe mendoj që çdo gjë do të kalojë në rregull”, tha Maloku.
Ndërkohë, opozita nuk ka vendosur ende nëse do të mbështesë me votat e saj apo jo qeverinë e re. Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës, si subjekti më i madh opozitar, vazhdimisht ka qenë që në Kosovë të ndërtohet një qeveri mbi bazën e një marrëveshje të re, që do të përfshinte një spektër më të gjerë politik. Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, tha se grupi parlamentar i kësaj partie do të vendosë se si do të veprohet në ditën e seancës:
“Grupi parlamentar i PDK-së, do të dalë me qëndrim ditën kur mbahet seanca. Mandatari për krijimin e qeverisëduhej që sot t’ia kishte dorëzuar kryesisë së Kuvendit listën e ministrave, kandidatëve për ministra dhe qeveria të votohet bllok sipas Kushtetutës në seancën e ardhshme”, tha Haliti.
Përndryshe, procedura parasheh që në seancën e të mërkurës, presidenti i Kosovës të paraqesë para Kuvendit nominimin e Bajram Kosumit për kryeministër. Ndërkaq më pas, Kosumi paraqet listën e ministrave të qeverisë së re. Kjo qeveri, me përjashtim të dy ministrave të rinj nga radhët e AAK-së, do të jetë në përbërje të njëjtë sikurse qeveria Haradinaj.


XS
SM
MD
LG