Ndërlidhjet

PARTITË NË PUSHTET TË BINDURA PËR MIRATIMIN E QEVERISË SË RE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës voton nesër për të zgjedhur kryeministrin dhe qeverinë e re të Kosovës, pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, si rrjedhojë e aktakuzës së ngritur ndaj tij nga ana e Tribunalit të Hagës. Por sidoqoftë, edhe qeveria e re që pritet të marrë miratimin nga Kuvendi nesër, pritet të jetë në përbërje të njëjtë me atë Haradinaj, me përjashtim të dy ministrave të rinj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Këta dy ministra do të jenë Ardian Gjini dhe Ibrahim Selmanaj, të cilët i zëvendësojnë ministrin Bajram Kosumi tashmë i nominuar për kryeministër dhe ish-ministrin Ahmet Isufi, i cili ka dhënë dorëheqje ditën e shpalljes së aktakuzës ndaj Haradinajt. Përveç përbërjes, edhe prioritetet dhe programi i qeverisë së re pritet të jenë të njëjta, thonë në kabinetin e kryeparlamentarit Nexhat Daci. Këshilltari i tij politik, Ramush Tahiri, thotë se koalicioni, ka vota të mjaftueshme që të zgjedhë nesër qeverinë e re:
“Kjo qeveri faktikisht është qeveria e vjetër me dy ministra të rinj, vazhdon me programin e qeverisë së Ramush Haradinajt dhe do të bëjë përpjekje që ta ruajë dinamikën, bashkëpunimin dhe partneritetin që e kishte qeveria me në krye Ramush Haradinajn me UNMIK-un”, tha Tahiri.
Ndërkohë, opozita ka mendime të tjera në lidhje me qeverinë që do të votohet nesër. Partia Demokratike e Kosovës, vlerëson se nuk do të mbështesë këtë qeveri, e cila, sipas deputetit të saj Enver Hoxhaj, nuk i ka kualitetet e mjaftueshme që t’i sigurojë Kosovës një qeverisje efikase dhe në interes të qytetarëve Kosovës:
“Për shkak të mospërfaqësimit të interesave të qytetarëve të Kosovës ne mendojmë që një koalicion i tillë nuk duhet të mbështetet politikisht, meqë Kosova nuk e ka merituar vërtetë që në vitin e gjashtë pas luftës ta ketë, qeverinë më të dobët në historinë e saj dhe qeverinë më të dobët, që ka aktualisht ndonjë shtet ose vend në Ballkan”, tha Hoxhaj.
Subjekti i dytë opozitar Ora, pritet të vendosë pak çaste para seancës se si do të votojë. Në anën tjetër, subjekti më i madh i serbëve të Kosovës, Lista Serbe për Kosovën e Metohinë, që përfaqësohet me tetë deputetë në Kuvend, sipas liderit të saj Oliver Ivanoviq, nuk do të marrin pjesë as në seancën e nesërme.
"Ne do ta përcjellim me vëmendje seancën e nesërme. Jam mjaft i interesuar të di se si do të kalojë zgjedhja e kryeministrit dhe qeverisë së re”, tha Ivanoviq, duke shtuar se partnerët qeverisës nuk i kanë ftuar asnjëherë të bisedojnë për mundësinë e përfshirjes së tyre në qeverinë e re.
Qeveria Haradinaj, e cila vazhdoi mandatin nën drejtimin e zëvendësit të tij Adem Salihaj që nga 8 marsi e këtej, sot ka mbajtur mbledhjen e fundit, pasi me Kornizën Kushtetuese parashihet që, pavarësisht se do të jetë një qeveri e njëjtë, nga dita e nesërme asaj i përfundon mandati. Për të zgjedhur kryeministrin dhe qeverinë e re, Kuvendi duhet t’i japë mbështetjen me shumicën e votave, që nënkupton 61 vota pro. Nga dita e zgjedhjes, qeveria fillon punën e saj të rregullt.

XS
SM
MD
LG