Ndërlidhjet

RRITET NUMRI I VIKTIMAVE DHE TRAFIKANTËVE KOSOVARË


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Trafikimi dhe prostitucioni i dhunshëm në Kosovë ka shënuar rritje, ndërkohë që ka shënuar rritje edhe numri i trafikantëve vendorë, thonë përfaqësues të organizatave të ndryshme, ndërkohë që policia ka hedhur poshtë këto pohime. Nga Qendra Për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve thonë se gjatë pesë viteve të fundit, 82 për qind e viktimave të trafikimit dhe prostitucionit të dhunshëm janë fëmijë nga Kosova dhe mosha e tyre sillet prej 11 deri në 18 vjeç. Sevdije Ahmeti, udhëheqëse e kësaj qendre, tha se deri më tani, kjo qendër i ka ofruar ndihmë mbi 400 fëmijëve.
“Kemi një brengosje për zhdukje të fëmijëve të cilët rrëmbeheshin, merreshin me qëllime të caktuara apo pa qëllime, këtë nuk e dimë. Mirëpo sipas statistikave që kemi nga viktimat e rritura, 45 për qind prej tyre kanë qenë të trafikuara në moshën minore. Pra numri i përgjithshëm i të gjithë fëmijëve, të cilët kanë qenë të trafikuar është 398 fëmijë".
Zonja Ahmeti, njëkohësisht tha se trafikantët e kanë lehtë të manipulojnë me fëmijët, pasi ata nuk i njohin të drejtat e tyre, ndërsa, sipas zonjës Ahmeti, prindërit në këtë aspekt kanë dështuar tërësisht.
"Ndërsa institucionet edhe më tutje nuk çajnë kokën për këtë problem. Me fëmijët shumë më lehtë punojnë trafikantët, kriminelet, bandat e organizuara me përmasa ndërkombëtare, fitimi i parave me fëmijët është shumë i lehtë, i manipulueshëm, fëmijët nuk dinë të kërkojnë drejtësi, kanë turp kanë frikë dhe nuk dinë për të drejtat e veta,” tha zonja Ahmeti.
Një prej organizatave ndërkombëtare që merret me rehabilitimin e viktimave të trafikimit dhe prostitucionit është Organizata Ndërkombëtare për Migrim. Bekim Ajdini, nga kjo organizatë pohon se prej vitit 2000 e deri më tani Organizata Ndërkombëtare për Migrim ka ndihmuar mbi 400 viktima. Prej tyre, 48 kanë qenë viktima kosovare ndërsa mosha e tyre ka qenë prej 13 deri në 18 vjeç
“IOM-i në bazë të mandatit të vet, bën asistiminin e këtyre viktimave të trafikimit. Asistimi përfshin vendosjen e tyre në vende të caktura strehimore, vazhdon me përkrahjen mjekësore, psikiatrike, financiare simbolike”, tha zoti Ajdini.
Zyrtarët thonë se viktimat e tilla zakonisht punojnë nëpër kafeteri dhe restorane të ndryshme në mbarë Kosovën. Refki Morina, zëdhënës në Shërbimin Policor të Kosovës, tha se në vende të ndryshme të Kosovës janë mbyllur disa lokale hoteliere, për të cilat është dëshmuar se merren me këtë veprimtari.
“Kështu që njësitet përkatëse, në nivele rajonale dhe qëndrore, po veprojnë në mënyrë profesionale që të eliminohen këto dukuri negative dhe personat e dyshuar të procedohen nëpër gjykatat tona”, tha zoti Morina.
Fllanza Kadiu, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, ndërkaq tha se kohëve të fundit është rritur numri i personave, të cilët gjykohen për trafikim të fëmijëve dhe sipas saj dënimet janë shumë të rënda.
“Nëse kjo vepër penale kryhet kundër personit nën moshën 18 vjeçare, kryesi dënohet më burgim prej 3 deri në 15 vjet”
Sidoqoftë, viktimat pasi kanë shpëtuar nga trafikantët, shpeshherë përballen edhe me vështirësi nga më të ndryshmet në përpjekjet për t’u riintegruar në shoqëri, tërheqin vërejtjen përfaqësues të organizatave që merren me trajtimin dhe rehabilitimin e viktimave të trafikimit dhe prostitucionit.


XS
SM
MD
LG