Ndërlidhjet

STRUCK: NUK KA ZVOGËLIM TË TRUPAVE DERI NË ZGJIDHJEN E STATUSIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ministri gjerman i Mbrojtjes Peter Struck, ka kërkuar përshpejtimin e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, duke premtuar se derisa nuk do të ketë një zgjidhje, kontigjenti gjerman i forcave paqëruajtëse në Kosovë, do të mbetet i pazvogëluar. Këto komente Ministri gjerman i Mbrojtjes Struck, i ka bërë sot në Prishtinë pas një takimi me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, i cili i ka thënë atij se Kosova është në gjendje të marrë përsipër të gjitha obligimet ndërkombëtare si shtet i pavarur.
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë tha se i mbështeste insistimet e shefit të UNMIK-ut Jessen Petersen, për një zgjidhje sa më të shpejtë të statusit të Kosovës:
"Unë i bëra të ditur presidentit Rugova se zgjidhja e statusit duhet të bëhet sa më shpejt dhe nuk bën që problemi i pazgjidhur diplomatik të rëndojë në kurriz të ushtarëve," tha ministri Struck. Ai megjithatë ka thënë se Ministria e Mbrojtjes së Gjermanisë nuk e ka ndërmend të zvogëlojë praninë e ushtarëve gjermanë në Kosovë:
"Ne ishim të një mendimi se kontigjenti gjerman brenda KFOR-it duhet të ruhet në përbërjen e tanishme, derisa të zgjidhet statusi i Kosovës," tha Ministri gjerman i Mbrojtjes Peter Struck, duke vazhduar këmbënguljen e tij për një zgjidhje më të shpejtë diplomatike të statusit të Kosovës, që sipas tij duhet të bëhet me përfshirjen e Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, e ka njoftuar mysafirin nga Gjermania për synimet aktuale të institucioneve të Kosovës:
"Ne po punojmë për të përmbushur standardet prioritare siç është mbrojtja e minoriteteve, pastaj biseduam për një zhvillim ekonomik që duhet të bëhet bashkë me UNMIK-un. Dhe po punojmë në këtë rrugë ndërkombëtare që ta bëjmë zhvillimin e progresit dhe të standardeve prioritare. Unë insistoj që pavarësia e Kosovës të njihet sa më shpejt pasi do ta qetësojë këtë pjesë të Evropës dhe të botës."
Presidenti Rugova gjithashtu i ka premtuar zotit Peter Struck, se Ksoova është e gatshme të përmbushë të gjitha obligimet ndërkombëtare për të qenë pjesë e strukturave evroatlantike:
"Po, them se ne do të vazhdojmë t’i kryejmë obligimet tona dhe zoti ministër, ne jemi në gjendje t’i marrim obligimet ndërkombëtare," tha presidenti Rugova, duke e falënderuar Gjermaninë për përkrahjen ushtarake dhe civile që i ka dhënë Kosovës, para luftës, gjatë luftës dhe pas saj.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Peter Struck, i cili po qëndron në Kosovë në kuadër të një turneu ballkanik për të vizituar trupat gjermane, më pas ka takuar trupat paqëruajtëse gjermane në rajonin e Prizrenit.

XS
SM
MD
LG