Ndërlidhjet

JUSUF GËRVALLA RIKTHEHET NË MUZIKËN SHQIPTARE


Bekim Lumi, Prishtinë

Kënga "Do të kthehem o nënë" e kantautorit dhe shkrimtarit Jusuf Gërvalla, është vetëm njëra nga perlat e tij muzikore që i ka mbijetuar zhdukjes dhe si e tillë pas vrasjes së tij më 1982, nga Shërbimi sekret Jugosllav në afërsi të Shtutgardit në Gjermani, për vite me radhë është dëgjuar fshehtas nga njerëzit në Kosovë. E ruajtur me kujdes, së bashku me shumë këngë të tjera, ajo në këtë fillim pranvere i ngjan një rikthimi të vonuar të kanjushës së verdhë poetike dhe muzikore të një artisti, krijimtaria e të cilit u pre nga plumbat. Ky është një rikthim i vonuar por i domosdoshëm i Jusufit tek njerëzit që aq shumë i deshi, thotë bashkëshortja e tij Suzanë Gërvalla, duke folur për dy cd-të me këngët e Jusuf Gërvallës.
" Kam patur dëshirë përherë që të rikthej Jusufin në skenën muzikore, që të rinjtë ta dëgjojnë Jusufin, sepse nuk kanë patur ku ta dëgjojnë zërin e tij. Gjithashtu edhe gjeneratat tona të cilat e kanë dëgjuar Jusufin janë mallëngjyer shumë, e kanë pritur mirë, sepse dhe u ka pëlqyer kënga e tij. Aty do të jenë dy cd. Njëri do t'i ketë këngët origjinale të Jusufit, të cilat i këndon ai, ndërsa tjetri do të ketë 7 këngë të përpunuara nga kompozitorë të tjerë", thotë zonja Gërvalla.
Krijimtaria muzikore e Jusuf Gërvallës është shumë e gjerë dhe si e tillë ajo përfshin dhjetra këngë, të cilat kur ishte gjallë Jusufi i ka kënduar nëpër koncerte të ndryshme apo i ka inçizuar në radio dhe televizion, thotë më tutje Suzanë Gërvalla, duke shtuar se për fat të keq, nga opusi i tij krijues muzikor, nuk kanë shpëtuar të gjitha.
"Fatkeqësisht në RadioKosova nuk kishte asgjë. Ishin shkatërruar krejt. Televizioni ka xhirime, por nuk kanë mundur ende t'i nxjerrin të gjitha, kanë nxjerrë pak. Ndërsa këto këngë që janë nxjerrë të pastra, janë nxjerrë nga Radio e Shkupit. Sa i përket këngëve që janë përpunuar, unë e kam patur një kasetë, të cilën e kam inçizuar dikur, kur ka qenë Jusufi gjallë, e kam ruajtur dhe nga ajo kaseta i kemi nxjerrë këto këngë që i kanë përpunuar."
Krahas krijimtarisë muzikore, Jusuf Gërvalla, thotë më tutje Suzanë Gërvalla, ka lënë pas vetes edhe veprën e tij letrare dhe publicistike, të cilën ajo është duke e mbledhur dhe përgatitur për botim.
"Kam shumë materiale të Jusufit. Më vjen keq që kurrkush nuk është interesuar deri sot për ato, t'i marrë, t'i përpunojë, t'i nxjerrë në dritë. Prandaj detyrohem unë që t'i bëj. Sivjet është 60 vjetori i tij i lindjes dhe unë kam marrë iniciativën, ka shumë muaj që unë punoj në bibliotekë dhe po i mbledh të gjitha shkrimet e Jusufit që janë të botuara në gazetë. Kam punuar në Shkup, i kam nxjerrë nga Flaka, nga Jehona. Këtu i kam nxjerrë nga Rilindja, Zëri, Jeta e Re, nga të gjitha gazetat dhe kur të bëhet dua t'ia bashkangjit edhe një libër me publicistikën e Isufit," përfundon e shoqja e tij Suzanë Gërvalla.

XS
SM
MD
LG