Ndërlidhjet

KAI EIDE ANGAZHOHET PËR HAPJEN E DISKUTIMEVE PËR STATUSIN PËRFUNDIMTAR


Albana Isufi, Prishtinë

Hapja e negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës nuk mund të evitohet, derisa Kosova po shënon përparim në përmbushjen e standardeve. Është ky vlerësim i ambasadorit të Norvegjisë në NATO Kai Eide. Pas takimit me presidentin Ibrahim Rugova, Eide ka thënë se do të ishte e rrezikshme nëse edhe me tej shtyhen bisedimet për statusin përfundimtar.
“Është e qartë, siç e kam thënë edhe në raport, se ne nuk mund ta evitojmë edhe me tej problemin e statusit. Ne duhet t’i qasemi atij," tha Eide, duke iu referuar raportit të vitit të kaluar rreth trazirave të marsit, të cilin Eide e përpiloi me kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Annan.
“Unë e kam thënë se një nga problemet që ka qëndruar pas frustrimeve, ka qenë fakti se çështja e statusit nuk u diskutua, nuk u ngrit, sepse njerëzit mendonin se është shumë e rrezikshme që të ngrihet kjo çështje. Mendoj se ne kemi ardhur në përfundim se është e rrezikshme që kjo çështje të mos ngrihet, pasi ajo duhet të ngrihet, është pjesë e procesit ndërkombëtar dhe mendoj se ky proces është duke u zhvilluar”, tha Eide.
Duke e falënderuar Eiden për raportin e tij, siç e ka quajtur pozitiv, presidenti Rugova përsëriti se njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të stabilizonte rajonin.
“Tjetër gjë që unë insistoj është njohja më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës, një Kosovë e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi të ngushtë me SHBA-të, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe botës dhe do të hapte perspektiva të brendshme dhe integruese të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare”, tha presidenti Rugova.
Ambasadori i Norvegjisë në NATO Kai Eide, ka thënë se Kosova ka shënuar progres në përmbushjen e standardeve.
“Nëse shikoj prapa nga vizita ime e verës së kaluar, gjërat këtu po lëvizin përpara, ka një fokusim më të madh të bashkësisë ndërkombëtare, s’ka dyshim për këtë, mendoj se Soren Jessen Petersen po bën një punë të shkëlqyeshme, në bashkëpunim me politikanët vendorë. Nuk ka dyshim se ka progres edhe në standarde, por unë mendoj se mund, dhe duhet të bëhet edhe me shumë në muajt dhe vitet e ardhshme, pasi ky është një proces afatgjatë,” tha Eide.
Kai Eide ka qenë ish i dërguar special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Kofi Annan në Kosovë, për të përpiluar një raport mbi trazirat e marsit të vitit të kaluar, të cilat patën 19 të vrarë dhe qindra të plagosur.
Analistët vlerësojnë se ka qenë pikërisht raporti i tij që ka çuar në shpejtimin e bartjes së kompetencave nga UNMIK-u te institucionet e Kosovës, thjeshtimin e standardeve dhe partneritetin më të fuqishëm mes UNMIK-ut dhe institucioneve vendase.

XS
SM
MD
LG