Ndërlidhjet

logo-print

VEJSELI: NUK I BESOJMË ZOTIMIT TË QEVERISË PËR ZGJEDHJE TË LIRA DHE KORREKTE


Abylhadi Vejseli, Kryetar i PPD-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Vejseli, cilat janë arsyet që koalicioni PPD-PDSH vendosi t'i bojkotojë zgjedhjet?

ABYLHADI VEJSELI
Që para raundit të parë kishim një marrëveshje ndërmjet partive politike të cilat kishin kandidatë për zgjedhjet lokale të 13 marsit dhe kishim garanci nga ana e qeverisë së Republikës së Maqedonisë, që këto zgjedhje do të jenë të lira dhe korrekte, për shkak se kushti kryesor nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, Bashkimit Evropian dhe NATO-s ishte që kjo të jetë test i parë, test për Maqedoninë sa do ta plotësojë këtë kriter që të jetë më tej anëtare e familjes evropiane dhe NATO-s. Por siç ndodhi më 13 mars, sipas analizave dhe vlerësimeve tona, këto zgjedhje nuk kanë qenë të lira dhe demokratike, për shkak se ka patur parregullsi të mëdha nëpër vendvotime.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Vejseli, qeveria ju ka ftuar që opozita të dalë në raundin e dytë të zgjedhjeve në 27 mars, duke thënë se do të sigurojë kushte për zgjedhje të lira dhe demokratike. Sa i besoni kësaj ftese të qeverisë?

ABYLHADI VEJSELI
Nuk mund t'i besoj sepse këto prononcime kanë qenë edhe më herët nga ana e qeverisë, pra që para raundit të parë. Por meqënëse edhe raundi i parë u vlerësua nga kryeministri si raund ku ka patur parregullsi në procesin zgjedhor, atëhere nuk kemi pse t'i besojmë se kjo do të përmirësohet në raundin e dytë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sot edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Shkup tha se opozita, përfshirë edhe atë shqiptare duhet të marrë pjesë në raundin e dytë. Si i komentoni kërkesat e tilla?

ABYLHADI VEJSELI
Ne në radhë të parë duhet të bisedojmë për aftësinë e institucioneve të Republikës së Maqedonisë. Ne mendojmë se nuk egziston apo nuk funksionon shteti ligjor në Republikën e Maqedonisë. Si e parë pra nuk funksionon sistemi dhe institucionet nuk janë të afta, pikërisht institucionet kompetente duke filluar nga qeveria dhe organe të tjera, të organizojnë dhe realizojnë zgjedhje të lira dhe demokratike. Kjo shihet qartë pra në këtë drejtim edhe bashkësia ndërkombëtare i kishte vërejtjet e saj, duke filluar nga OSBE-ja, nga Bashkimi Evropian, Departamenti amerikan i Shtetit, e kështu me radhë. Edhe ata konstatuan se në raundin e parë të zgjedhjeve vendore në Maqedoni, ka patur parregullsi në procesin zgjedhor.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Vejseli, në komunat ku udhëheq opozita, kandidatët janë të partisë suaj, pra të Partisë së Prosperitetit Demokratik. Ndërsa aty ku kandidatët e Partisë Demokratike Shqiptare garojnë në raundin e dytë, prijnë kandidatët e Bashkimit Demokratik për Integrim. A mendoni se koalicioni PPD-PDSH ishte në favor të Partisë së Prosperitetit Demokratik?

ABYLHADI VEJSELI
Tani nuk mund të vlerësojmë se është ende herët të vlerësojmë se si mund të ndahet anëtarësia dhe cilët janë votuesit. Por me siguri në këtë drejtim mund të themi se Partia për Prosperitet Demokratik, shënoi rezultate atje kui ka kandidatët e saj, por nuk do të thotë se edhe koalicioni në përgjithësi nuk ka rezultate të mira në Republikën e Maqedonisë, në zonat ku ata kanë venë kandidatët. Kemi hyrë në raundin e dytë, që do të thotë se procesi fillon prej fillimit, por ne nuk kemi frikë nga votat të cilat do t'i marrim nga elektorati jonë i koalicionit, por kemi frikë mos ketë shqetësime të tjera në popullatën shqiptare, për shkak se mund të ndodhin incidente, të cilat mund të eskalojnë deri në situata, të cilat nuk do të mund të kontrolloheshin, prandaj nuk jemi të gatshëm që të marrim pjesë në raundin e dytë derisa nuk u garantua raundi i parë ashtu siç ishte zotimi nga ana e qeverisë së Republikës së Maqedonisë se do të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike. Nga kjo shihet qartë se elektorati e simpatizon dhe është përcaktuar për koalicionin, por ka elemente dhe faktorë të tjerë, të cilët nuk lejojnë që të votohet në mënyrë të drejtë dhe demokratike, për të arritur rezultate të cilat do të ishin të pranueshme nga kushdoqoftë.

Intervistoi Vullnet Poshka
XS
SM
MD
LG