Ndërlidhjet

6 VJET PAS NDËRHYRJES SË NATO-S SFIDË KRYESORE E KOSOVËS MBETET PROCESI I SHTETFORMIMIT


Albana Isufi, Prishtinë

Eksperti i të drejtës ndërkombëtare Blerim Reka, thotë se në 6 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, kosovarët janë para sfidës kryesore: procesit të shtetformimit. Reka thotë se tani institucionet e Kosovës duhet të dëshmojnë se kanë kapacitete qeverisëse.
"Me fjalë të tjera, pas periudhës emergjente post-konfliktuale, jemi në vitin e gjashtë të këtij aksioni, jemi në një proces, ku më tej duhen dëshmuar kapacitetet qeverisëse të Kosovës në rrugën drejt sovranizimit të saj".
Megjithatë në këtë periudhë gjashtëvjeçare, sipas njohësve të rrethanave, në Kosovë gjerat kanë lëvizur përpara. Sipas tyre, shumë nga standardet e vëna nga bashkësia ndërkombëtare, për t'u përmbushur para se të hapen bisedimet për statusin përfundimtar, kanë filluar të zbatohen edhe në praktikë. Ndërkaq në aspektin e respektimit të të drejtave të njeriut, veprimtari në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut Ibrahim Makolli, thotë se gjendja e tanishme as që mund të krahasohet me atë të vitit 1999.
"Përderisa tani e gjashtë vjet më parë kishim jo vetëm shkelje kolektive të të drejtave të njeriut, por kishim edhe elemente të gjenocidit, ose përpjekje për të kryer gjenocid, tashmë shoqëria kosovare është në një gjendje krejt tjetër dhe natyrisht, në bazë të rrethanave të reja të krijuara pas ndërhyrjes së NATO-s edhe gjendja e të drejtave të njeriut ka shënuar përparime të mëdha."
Por Makolli pranon se për të arritur standardet ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut në Kosovë, duhet të punohet edhe më shumë.
"Përkundër këtyre përparimeve mund të thuhet se me përgjegjësi të plotë dhe me saktësi se gjendja e të drejtave të njeriut nuk është në nivelin e kënaqshëm, në nivelin aq sa parashihet edhe me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Mirëpo duke marrë parasysh se edhe Kosova, edhe shoqëria kosovare në përgjithësi janë në fazën e tranzicionit dhe në krijim të strukturave të saj institucionale etj, është e natyrshme që krahas gjithë të tjerave edhe gjendja e të drejtave të njeriut synon gjithnjë përparime".
Eksperti i të drejtës ndërkombëtare Blerim Reka, vlerëson se në planin normativ, Kosova është shumë më përpara sesa vendet e rajonit.
" Së paku po flas në aspektin normativ me dispozitat e Kornizës Kushtetuese, të cilat kanë inaugurar një sistem të diskriminimit pozitiv të pakicave, sa i përket garantimit të të drejtave, të janë edhe mbi standardet evropiane për të drejtat e njeriut", thotë Reka, duke shtuar se kohët e fundit qeveria dhe institucionet kosovës kanë shtuar përpjekjet për të zbatuar deri në fund standardet evropiane për të drejtat e njeriut.

XS
SM
MD
LG