Ndërlidhjet

MOISIU: 2005- VENDIMTARE PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES SË KOSOVËS


Alma Çupi, Tiranë

Presidenti i republikës Alfred Moisiu, në përvjetorin e gjashtë të ndërhyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, tha se 24 marsi është një ditë e madhe jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin dhe për vetë NATO-n.
Këto komente kryetari i shtetit Moisiu i bëri sot në Tiranë, në një ceremoni të zhvilluar nga Shoqata shqiptare e Atlantikut, për promovimin e librit të tij “Kosova mes luftës dhe paqes”.
Presidenti Moisiu tha se minoritetet në Kosovë nuk duhet kurrësesi që të provojnë atë që provoi popullsia shqiptare nën regjimin e Millosheviçit.
"Është një ditë e madhe për Kosovën dhe për gjithë shqiptarët. Por unë do të thoja që ishte gabim që ishte vetëm kaq. Kjo ka qenë një ditë e madhe për gjithë rajonin e Ballkanit."
Me tej presidenti Moisiu tha se viti 2005 do të jetë vit vendimtar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, zgjidhja e së cilës do të ndihmojë në integrimin e Ballkanit perëndimor në BE.
"Unë shpresoj që viti 2005, do të jetë vërtet viti vendimtar për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Jo vetëm se këtë e duan kosovarët, por këtë e duam të gjithë ne ballkanasit. Këtë e do gjithë Evropa dhe po ashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E duan të gjithë njerëzit paqen dhe stabilitetin në rajon."
Bejtush Gashi, nënkryetari i Shoqatës së Atlantikut të Kosovës, e quajti ditën e 24 marsit, si dita e shpresës për Kosovën.
"Sulmet e forcave të Aleancës Veriatlantike mbi caqet dhe objektivat ushtarake serbe gjashtë vjet më parë, është ngjarje në historinë e popullit shqiptar në Kosovë dhe nata e 24 marsit 1999 për Kosovën dhe popullin e saj është nata e shpresës dhe fillimi i fundit të gjenocidit 100 vjeçar serb mbi popullin shqiptar."
Në përurimin e librit të librit të presidentit Moisiu, që është një përmbledhje shkrimesh, intervistash dhe diskutimesh në veprimtaritë ndërkombëtare të Shoqatës shqiptare të Atlantikut për periudhën 1998-2000, kur presidenti Moisiu ka qenë kryetari i kësaj shoqate, merrnin pjesë politikanë, gazetarë dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.





XS
SM
MD
LG