Ndërlidhjet

logo-print

RUGOVA: 24 MARSI 1999 DITA E AGUT TË LIRISË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë



Sulmet ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe që filluan pikërisht gjashtë vjet më parë, më 24 mars të vitit 1999, ishin sulme për lirinë, ndërkohë që kjo ndërhyrje dhe stacionimi i KFOR-it në Kosovë ka ndikuar pozitivisht mbi proceset jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë rajonin, kanë vlerësuar zyrtarë ndërkombëtarë e vendorë në gjashtëvjetorin e fillimit të fushatës ajrore të NATO-s kundër forcave të Milosheviqit. Përderisa presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, në një deklaratë me shkrim e quajti këtë një ditë të agut të lirisë, zëdhënësi i forcave paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë, koloneli Iv Kermorvant, në një prononcim për Evropën e Lirë tha:
"Unë mendoj se ishte një fushatë për lirinë, prandaj edhe kishte synime të mira për të gjithë në Kosovë," tha koloneli Kermorvant, për të shtuar se nëse kthehemi për të shikuar në vitin 1999, mund të shihet një përparim i madh në Kosovë dhe KFOR-i është i kënaqur nga misioni paqëruajtës:
"Nëse e shikojmë situatën tash, Kosova është e qetë dhe paqësore dhe situata e përgjithshme e sigurisë është e shkëlqyeshme, prandaj ne jemi të kënaqur," tha zëdhënësi i forcave paqëruajtëse Iv Kermorvant.
Ndërkaq, zëdhënësi i presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, zoti Muhamet Hamiti, tha se populli i Kosovës do t’i jetë përherë mirënjohës NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare për ndihmën që i ka dhënë luftës së Kosovës për liri. Mirëpo, tha zoti Hamiti, çlirimi i Kosovës do të duhej kurorëzuar me pavarësi të plotë:
"Do të ishte mirë që çlirimi i vendit tonë të kurorëzohej me lirinë dhe pavarësinë e plotë, me njohjen e statusit të pavarur të vendit tonë që në qershor të vitit 1999. Do të ishte më mirë për Kosovën, për bashkësinë ndërkombëtare dhe për vetë Serbinë. Trashëgimia e luftës do të lihej mbrapa më herët, ndërsa tani do të kishim prioritetet e integrimit euroatlantik dhe të zhvillimit të plotë ekonomik të vendit."
Në anën tjetër, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Naim Maloku, i cili gjashtë vjet më parë ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se sulmet e NATO-s ishin përgjigje e suksesshme kundër përndjekjes dhe persekutimit të shqiptarëve:
"Unë mendoj se NATO-ja me ndërhyrjen në Kosovë ka bërë ndryshime pozitive, jo vetëm në Kosovë por ka bërë ndryshime pozitive edhe për proceset në rajon. KËemi parasysh se pa ndërhyrjen e forcave të NATO-s dhe pa stacionimin e KFOR-it në Kosovë, Kosova nuk do ta arrinte këtë fazë të zhvillimit të proceseve demokratike brenda, mirëpo ndikim të jashtëzakonshëm stacionimi i forcave të KFOR-it në Kosovë ka pasur edhe për proceset në rajon".
Zoti Naim Maloku tha se do të ishin të paimagjinueshme ndryshimet në Serbi dhe dërgimi i Slobodan Milosheviqit në Hagë, sikur KFOR-i të mos kishte qenë i pranishëm në Kosovë. Ai ka përmendur po ashtu rolin e pazëvendësueshëm stabilizues të KFOR-it edhe në rastet e konflikteve në Luginën e Preshevës dhe Maqedoni.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i serbëve të Kosovës Oliver Ivanoviq, tha se edhe gjashtë vjet pas, sulmet e NATO-s i cilësonte sulme kundër një vendi sovran, ndërsa misionin e KFOR-it të pasuksesshëm:
"Forcat ndërkombëtare erdhën për të mbrojtur shqiptarët që ishin përzënë dhe mbi të cilët ushtrohej dhunë dhe në të njëjtën kohë, me ardhjen e tyre dhe qëndrimin e padrejtë, mundësuan që tani pala tjetër, pra serbët, të jenë pala mbi të cilën ushtrohet dhunë," tha Ivanoviq, duke pranuar se kohët e fundit situata e sigurisë është më e mirë dhe nuk ka pasur incidente ndëretnike.
Ndërkohë, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Naim Maloku tha se Kosova është një vend i sigurt:
"Për gjashtë vjet Kosova ka ndryshuar plotësisht pamjen dhe kjo është meritë, jo vetëm e qytetarëve të Kosovës, por edhe e vetë e forcave të NATO-s dhe të KFOR-it që gjenden në Kosovë. Në anën tjetër Kosova është një ndër vendet më të sigurta jo vetëm në rajon por edhe në më gjerë".
Në gjashtëvjetorin e sulmeve të NATO-s, zyrtarët e Kosovës kanë thënë se për këto gjashtë vjet, KFOR-i, ka bërë një punë të shkëlqyer në sigurinë dhe mbrojtjen e Kosovës, duke u bërë një forcë e dashur dhe e respektuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës.
Në mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1999 qenë lansuar raketat e para të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë, në një fushatë 78 ditëshe, që solli si rezultat largimin e forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e forcave paqëruajtëse të NATO-s, duke i dhënë fund luftës së armatosur ndërmjet formacioneve të sigurisë të Serbisë dhe ushtrisë jugosllave në njërën anë dhe njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

XS
SM
MD
LG