Ndërlidhjet

HAZIRI: PROCESI I DECENTRALIZIMIT NË FAZËN E DEBATIT


Albana Isufi, Prishtinë

Në ditët e ardhshme procesi i reformimit të pushtetit lokal do të fillojë të debatohet në Kuvendin e Kosovës, por edhe në kuvendet komunale, si dhe në shoqërinë civile.
Këtë e konfirmoi Ministri i Pushtetit Lokal Lutfi Haziri, i cili thotë se dokumenti bazë i procesit të decentralizimit ka gjasa edhe të negociohet. Haziri thotë se në dy javët e fundit, për shkak të rrethanave të krijuara në Kosovë, ky proces nuk ka ecur me dinamikën e zakonshme.
“Në dy javët e fundit, pas ngritjes së aktakuzës kundër zotit Haradinaj, ky proces për shkak të zhvillimeve politike nuk e ka pasur dinamikën e tij, ka pasur vonesa. Ndërsa tani, qeveria e emëruar në Kuvend ka të njëjtin program pune, por sigurisht në mbledhjen e ardhshme do të diskutohet apo operacionalizohen programet.”
Zëdhënësi i UNMIK-ut Remi Dourlot, thotë se me formimin e qeverisë së re, punët rreth procesit të decentralizimit do të vazhdojnë sërish.
“Tani pasi është formuar qeveria e re procesi do të vazhdojë sërish, nuk ka ndonjë ndryshim në situatë, përveç se ka pasur disa vonesa të vogla,” tha Remi Dourlot.
Deri tani, qeveria nuk ka arritur që të marrë bekimin e opozitës rreth procesit të decentralizimit. Por ministri Haziri shpreson se në ditët që vijnë do të arrihet një konsenzus, për shkak të, siç thotë ai, rëndësisë që ka vetë procesi.
“Besoj në dialogim, me vetë faktin se angazhimet tona për konsenzus lejojnë mundësitë që të negociohet dokumenti, pasi ky proces është i rëndësishëm dhe si në çdo vend tjetër, edhe te ne, duhet ta ketë mbështetjen e të gjithëve, mbështetjen politike mundësisht të të gjitha forcave politike për të siguruar qëndrueshmëri të plotë.”
Megjithatë Haziri thotë se edhe nëse ndodh e kundërtaqeveria është e vendosur që të mos ndërpresë rrugën e nisur për reformimin e pushtetit lokal.
“Qeveria është e vendosur që të ecë përpara edhe në kuptimin e konsenzusit, përkundër vështirësive që mund t’i paraqiten.”
Ndërkohë, decentralizimi pritet që të diskutohet mes liderëve serbë dhe shefit të UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, gjatë vizitës që ky i fundit do t’i bëjë Beogradit në fund të javës.
“Mund të them se decentralizmi do të jetë pjesë e diskutimeve të përgjithshme që Jessen Petersesn do t’i bëjë me liderët serbë në Beograd të dielën dhe të hënën”, tha Remi Dourlot.
Decentralizimi duhej të diskutohej në Kuvendin e Kosovës që para dy javësh, por kjo gjë nuk ka ndodhur për shkak të dorëheqjes së ish kryeministrit Ramush Haradinajt dhe shkuarjes së tij vullnetare në Tribunalin e Hagës.
Ministri i Pushtetit Lokal Lutfi Haziri, thotë se është i gatshëm kurdo që të marrë konfirmimin nga Kuvendi e të paraqesë para parlamentarëve qëndrimet e qeverisë mbi reformimin e pushtetit lokal.



XS
SM
MD
LG