Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK-u I INKURAJUAR NGA BEOGRADI PËR DIALOGUN MBI ÇËSHTJET E SIGURISË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyrtarët e UNMIK-ut janë shprehur të kënaqur nga qëndrimet e Beogradit lidhur me propozimin e shefit të UNMIK-ut Jessen Petersen, për të filluar dialogun në, siç thuhet, nivele të larta politike për çështjet e sigurisë, ndërkohë që tashmë egziston një bashkëpunim ndërmjet policisë së UNMIK-ut dhe policisë së Serbisë në kuadër të luftimit të krimit të organizuar. Drejtoresha e zyrës për Informim të UNMIK-ut, Hua Jiang tha për Evropën e Lirë, se UNMIK-u i ka propozuar Beogradit që të fillohet një dialog apo takime të niveleve më të larta për të shqyrtuar çështjet e sigurisë:
"Ne të gjithë e dimë se siguria është ndër shqetësimet e serbëve të Kosovës. Kjo ide është sjellë përreth për një kohë të gjatë dhe në kontaktet tona të mëparshme me zyrtarët e Beogradit Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, ua ka propozuar atyre, ndërkohë që kohët e fundit kemi nisur të marrim përgjigje pozitive," tha Jiang. Mirëpo ajo tha se ende asgjë nuk është finalizuar në kuptimin që kur apo ku duhet të fillojnë këto takime dhe kjo vazhdon të mbetet vetëm një ide në këtë fazë.
Analisti për çështje ushtarake dhe të sigurisë Ramadan Qehaja, tha se ky propozim i UNMIK-ut ka të bëjë para së gjithash me njohjen e realitetit në Kosovë nga Beogradi dhe serbët e Kosovës:
"Jessen Petersen u shpreh se është i inkurajuar nga gadishmëria e Beogradit për të nisur dialogun për sigurinë, krahas bashkëpunimit të tanishëm policor dhe ushtarak. Kjo ka të bëjë me atë që Beogradi duhet ta pranojë realitetin krijuar në Kosovë, duke u dhënë mbështetje serbëve të Kosovës që t’u bashkangjiten institucioneve, t’i japin fund bojkotit dhe mbylljes në enklava dhe ta bëjnë bashkimin e pjesës veriore me atë jugore të Mitrovicës".
Zoti Ramadan Qehaja tha po ashtu se me takime të tilla të niveleve të larta politike, kur do të diskutohej për çështje të sigurisë, vetëm sa do të intensifikohej bashkëpunimi i tanishëm edhe në luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës në zonat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë:
"Kryadministratori Petersen ka menduar për bashkëpunimin me policinë dhe ushtrinë serbe, në kuptim të luftimit të kalimeve dhe transaksioneve ilegale, korrupsionit dhe krimit të organizuar, që mund të bëhet në pjesën më të madhe të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë",tha zoti Qehaja, ndërkohë që zyrtarët e UNMIK-ut, edhe pse shpresojnë se kjo ide do të mund të realizohet shpejt, aktualisht nuk mund të flasin për faktin nëse këto bisedime do të zhvillohen ndërmjet zyrtarëve të lartë të Kosovës dhe Serbisë, apo do të formohen grupe punuese ashtu si edhe në rastin e dialogut për zhdukurit dhe në dialogun e paralajmëruar për të kthimin e të zhvendosurve:
"Aktualisht ne nuk kemi asgjë konkrete. Kjo është një ide që egziston, mirëpo nuk kemi një agjendë, nuk është caktuar ndonjë datë dhe natyrisht as kemi emrat e pjesëmarrësve eventualë," tha Hua Jiang.
Përndryshe, në bazë të marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, përfaqësuesit e KFOR-it dhe ata të ushtrisë së Serbisë e Malit të Zi mbajnë takime të rregullta, ndërsa në dy vjetët e fundit egziston bashkëpunim i rregullt edhe ndërmjet policisë së UNMIK-ut dhe asaj të Serbisë. Kjo çështje bëhet edhe më aktuale dhe e rëndësishme pas paralajmërimeve të shefit të UNMIK-ut Petersen, për bartjen e përgjegjësive policore tek institucionet e Kosovës.

XS
SM
MD
LG