Ndërlidhjet

KFOR-i DHE TMK-ja HEDHIN POSHTË DEKLARATAT E TADIQIT


Albana Isufi, Prishtinë

Keqinformim e ka quajtur shefi për informim i KFOR-it, deklaratën e presidentit serb Boris Tadiq, se Trupat Mbrojtëse të Kosovës po kryejnë stërvitje ushtarake në afërsi të Vushtrrisë.
“Unë mund t’ju them se nuk ka pasur ushtrime në rajonin e Vushtrrisë, nuk ka pasur ushtrime me armë siç është thënë në disa media dhe ky lajm është absolutisht i rremë”, thotë shefi për informim i KFOR-it, Yves Kermovant.
Koordinatori UNMIK-ut për TMK-në, gjenerali Jamie Balfour, tha për Radion Evropa e Lirë, se stërvitjet janë në përputhje me misionin e TMK-së.
Një gjë e tillë pohohet edhe nga zëdhënësi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, koloneli Shemsi Syla, i cili shpjegon se stërvitjet janë të rregullta dhe si çdoherë janë të monitoruara nga KFOR-i dhe UNMIK-u.
“ Kësaj radhe siç thashë është duke u zhvilluar ushtrimi në zonën e katërt dhe ky ushtrim ashtu si të gjitha ushtrimet e tjera është transparent, koordinohet dhe organizohet nga një skenar që është i njohur dhe në të marrin pjesë edhe KFOR-i UNMIK-u dhe nivele të tjera si të komunave, varësisht se ku zhvillohet ku trajnim. Këto trajnime kanë për qëllim t'i përgjigjen situatave të ndryshme të cilat janë të përcaktuara në misionin tonë".
Presidenti serb Boris Tadiq i ka quajtur të papranueshme, siç ka thënë ai, stërvitjet ushtarake të TMK-së dhe për këtë gjë ka kërkuar takim urgjent mes komandantit të KFOR-it dhe shefit të Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi.
Por, shefi për informim i KFOR-it, Yves Kermovant hodhi poshtë mundësinë e një takimi të tillë.
“Ne kemi takime të rregullta mes komandantit të KFOR-it dhe shefit të Shtamadhorisë së Ushtrisë së Serbisë e Malit të Zi, dhe kjo ndodh çdo 2 muaj. Por, tani nuk do të ketë takim të veçantë, siç është kërkuar nga presidenti Tadiq, pasi nuk ka kurrfarë arsye për një takim të tillë”, tha Kermovant.
Trupat Mbrojtëse të Kosovës janë standardi i tetë që duhet të përmbushet para hapjes së bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës.
Zyrtarë të TMK-së thonë se janë shumë afër përmbushjes së këtij standardi. Por, problemi kryesor mbetet inkuadrimi i minoritetit serb në këto trupa.

XS
SM
MD
LG