Ndërlidhjet

QEVERIA KUNDËRSHTON IDETË PËR FALIMENTIMIN E TREPÇËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar sot mundësinë e shpëtimit të kombinatit Trepça nga falimentimi. Kompleksi dikur më i fuqishëm industrial në Kosovë, tani është vënë para sfidës së falimentimit për shkak të borxheve të shumta. Për këtë arsye, qeveria vendore, në mbledhjen e saj të parë pas konstituimit të saj javën e kaluar, krahas standardeve e ka vënë çështjen e Trepçës në shqyrtim, duke premtuar se së shpejti do të dilet dhe me strategji konkrete për shpëtimin e këtij kombinati nga falimentimi. Kryeministri Bajram Kosumi tha se Trepça financohet nga buxheti i Kosovës, prandaj edhe politikat e saj duhet të caktohen nga qeveria. Kosumi shprehu dyshimin e tij se borxhet që tani llogariten si të Trepçës, në të kaluarën, ato mjete janë shfrytëzuar nga ish-regjimi i Milosheviqit për veprime represive kundër popullatës së Kosovës:
“Është një mendim se është më mirë që Trepça të shkoj drejt falimentimit për të larë borxhet e shumta që nuk janë ende reale, por janë borxhe të supozuara rreth 250 milion euro. Nuk është krejt e saktë procedura e atyre investimeve në Trepçë ose e atyre parave, nëse me ato para janë bërë investime në Trepçë apo është financuar lufta kundër shqiptarëve në Kosovë dhe kjo çështje do të shikohet në të ardhmen. Dëshiroj të them se ne nuk u ikim obligimeve tona ndërkombëtare në asnjë moment, por nuk marrim obligime për paratë që janë derdhur në luftë kundër shqiptarëve dhe kundër Kosovës”, tha kryeministri Bajram Kosumi.
Ndër prioritetet e vazhdueshme të qeverisë së tij, ai përmendi sërish plotësimin e standardeve, me të cilat qeveria e Kosovës llogarit që të përmirësojë jetën e qytetarëve të saj si dhe me plotësimin e tyre, t’i plotësojë kriteret e kërkuara nga bashkësia ndërkombëtare për diskutimet rreth statusit të Kosovës në vjeshtën e këtij viti. Edhe këtë herë, Kosumi u shpreh i gatshëm për bisedime me Beogradin, si një prej standardeve që duhen plotësuar. Ai tha se beson që gjatë mandatit të tij, Prishtina dhe Beogradi do të bisedojnë dhe si dy kryeqytete të shteteve të ndryshme:
“Unë dëshiroj t’ju them se pas luftës në Kosovë, në takimin e parë që e kam pasur me një diplomat, nuk dua ta përmend kush është ai, i thashë se do të dëshiroja që sa të jem aktiv në politikë, të vijë dita të ulem në tavolinë me përfaqësues të qeverisë së Serbisë, në njërën anë të jetë flamuri i Serbisë e në anën tjetër flamuri i Kosovës. Unë mendoj se kjo ditë po ofron dhe mendoj se do të ndodhë edhe gjatë mandatit tim”, tha Kosumi.
Kryeministri Kosumi dhe qeveria e tij, kanë dënuar sot ashpër dhe një incident që ndodhi dje në rrethinën e komunës së Istogut, ku një çift të moshuarish serbë ishini rrahur rëndë në pronën e tyre nga persona të paidentifikuar. Ky, tha Kosumi, është një lajm i keq për Kosovën, por lajme të tilla, shtoi ai, kohëve të fundit kemi dëgjuar shumë rrallë dhe shprehu bindjen se rrethanat në Kosovë do të shkojnë në atë drejtim që lajme të tilla ku njerëzit sulmohen në pronat e tyre të mos dëgjohen fare.





XS
SM
MD
LG