Ndërlidhjet

UNMIK VLERËSON SI POZITIVE HAPAT E QEVERISË PËR KTHIMIN E TË ZHVENDOSURVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Jo vetëm numri i personave të kthyer, por edhe hapat që ndërmarrin institucionet e Kosovës për të inkurajuar kthimin e të zhvendosurve, do të jenë faktorët vendimtarë për të vlerësuar përmbushjen e standardit për kthimin, thanë sot zyrtarë të UNMIK-ut. Përmbushja e standardit për kthimin, që është në mesin e katër standardeve prioritare, përfshin në vete shumë kritere, tha zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh:
"Ashtu si edhe në standardet e tjera, edhe në fushën e kthimit të komuniteteve janë përcaktuar shumë kritere në bazë të planit për standardet, që është dakorduar ndërmjet institucioneve vendore dhe UNMIK-ut dhe është miratuar nga Grupi i Kontaktit dhe Këshilli i Sigurimit," tha zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh. Ai tha se mbështetur në raportet e grupeve punuese për standardet që do të prezantohen në prill, në maj do të bëhet vlerësimi teknik dhe politik i përparimit në fushë të kthimit, që do t’i prezantohet Këshillit të Sigurimit.
Zëdhënësi Singh tha se procesi i përmbushjes dhe i vlerësimit të standardeve është një proces gjithëpërfshirës dhe ka në vete një rreze të gjerë kriteresh, të cilat janë miratuar nga institucionet, nga UNMIK-u, Grupi i Kontaktit dhe Këshilli i Sigurimit dhe të gjitha këto palë do të jenë të përfshira në faza të ndryshme të vlerësimit të përparimit të arritur:
"Mënyra se si janë dizajnuar qëllimet e standardeve, ka qenë një përpjekje për t’i bërë ato sa më të mundshme për t’u matur, në mënyrë që secili përparim të jetë më i prekshëm në kuptim të numrave," tha zëdhënësi Singh, ndërkohë që zyrtarët e Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, thanë se në fund të kësaj jave presin të marrin planin orientues për përmbushjen e standardit të kthimit. Zyrtarët e ministrisë po ashtu kanë vlerësuar se deri më tani është arritur një përparim i konsiderueshëm pasi janë kthyer dhjetëra familje. Mirëpo, zëdhënësi Singh tha se megjithëse numrat janë të rëndësishëm, ata nuk janë i vetmi faktor:
"Njëkohësisht ne nuk mund të themi se gjithçka mund të reduktohet në numra, pasi egziston një numër faktorësh subjektivë në kuptim të vlerësimit të përgjithshëm të ambjentit, nëse ai është i favorshëm për t’u kthyer apo jo," tha zëdhënësi Singh. Institucionet e Kosovës dhe analistët disa herë kanë shfaqur frikën e tyre se ky standard vështirë se do të mund të realizohet pa një qasje konstruktive të Beogradit. Mirëpo, zyrtarët e UNMIK-ut vlerësojnë se për jetësimin e standardeve kanë rëndësi edhe vetë hapat që ndërmarrin institucionet vendore:
"Fakti se sa persona janë kthyer dhe hapat që janë ndërmarrë nga institucionet kosovare për ta çuar përpara kthimin, do të jetë një faktor i rëndësishëm," tha zëdhënësi Neeraj Singh, duke vlerësuar se aktualisht po shohim se institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë disa hapa në këtë drejtim, duke ftuar të zhvendosurit për t’u kthyer. Sidoqoftë, tha Singh, një çështje tepër e rëndësishme është që fjalët qëllimmira të përkthehen në veprime konkrete.




XS
SM
MD
LG