Ndërlidhjet

FIESCHI: STATUSI I ARDHSHËM I KOSOVËS, REZULTAT I NEGOCIATAVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka ndihmuar në krijimin e institucioneve demokratike dhe të qëndrueshme në Kosovë, të cilat çdo ditë e më tepër po marrin përgjegjësi më të mëdha mbi vete, ka pohuar sot, ambasadori Pasquale Fieschi. Në paraqitjen e tij të fundit para mediave në këtë post, Fieschi tha po largohet nga Kosova me bindjen se këtu është shënuar një përparim i dukshëm në planin e standardeve. Por, tani, tha ai proceset e nisura duhet të vazhdojnë dhe të shndërrohet në përparim real. Duke ndryshuar gjendjen në terren, do të krijohen edhe parakushtet për një vlerësim pozitiv për standardet gjatë kësaj vere, tha Fieschi:
“Stabiliteti afatgjatë i Kosovës varet nga aftësia e saj për të integruar dhe mbrojtur minoritetet”, tha Fieschi. Lidershipi i Kosovës, tha ai, nuk duhet të harrojë pozitën e pakicave, pavarësisht përqëndrimeve të tyre në çështjen e statusit. Ai tha se nuk mund ta parashikonte se cili do të jetë statusi, pasi kjo do të dalë si rezultat i negociatave:
“Nuk e di se çfarë statusi të ardhshëm do të ketë Kosova, por e di se ai do të dalë si rezultat i negociatave”, tha ambasadori Fieschi. Ne, tha ai, po punojmë për stabilitetin e Ballkanit për çka shprehu bindjen e tij, se proceset që do të zhvillohen gjatë kësaj vere do të krijojnë nga Kosova një vend stabil në Ballkan.
Ambasadori Fieschi paralajmëroi dhe ndryshime në misionin e OSBE-së, varësisht rrethanave që do të krijohen, duke pasur parasysh se aktualisht ky mision funksionon në kuadër të UNMIK-ut. Ai premtoi vazhdimin e ndihmës së kësaj organizate evropiane për Kosovën edhe në të ardhmen, veçanërisht në fushat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe respektimit të ligjeve.
Ambasadori Fieschi është në krye të misionit OSBE-s në Kosovë që nga janari i vitit 2002. Gjatë kësaj kohe OSBE-ja në Kosovë ka organizuar një palë zgjedhje lokale dhe zgjedhjet e fundit parlamentare. Pas largimit të tij, në postin e shefit të këtij misioni do të vijë gjermani Verner Vendt, aktualisht zëvendës i zotit Paddy Ashdown në Bosnje e Hercegovinë.

XS
SM
MD
LG