Ndërlidhjet

ARMËT E FTOHTA RREZIK PËR SHOQËRINË


Albana Isufi, Prishtinë

Thika, brisqe dhe armë të tjera të ftohta shihen kudo në tregjet e Prishtinës. Çmimi i tyre është relativisht i ulët. Blerësit më të shpeshtë sipas tregtarëve, janë adoleshentët dhe të huajt. Një nga shitësit e këtyre armëve është Naim Bytyqi.
“Rinia edhe këta të huajt , i blejnë kot, për qejf.”
Një tregtar tjetër, afër të 40-tave, që deshi të mbetej anonim, nuk shet armë të ftohta, por i mban ato.
“I mbaj për qejf, nuk kam nevojë për mbrojtje, për këtë janë armët e tjera, por i mbaj për qejf”.
I riu Mensur Beqiri, thotë se nuk e sheh të nevojshme të mbajë armë me vete.
“Kurrë s’kam mbajtur, as nuk mbaj, sepse nuk më nevojitet dhe nuk e shoh të nevojshme që të mbaj thikë.”
Gjimnazisti Korab Zeka thotë se nuk mban armë të ftohta, por pohon se njeh shumë moshatarë të tij, që janë të pajisur me armë të ftohta, por siç thotë ai, nuk e di arsyen e mbajtjes së tyre.
“Ku ta dish, për qëllime personale, veç me thënë që po mbaj thikë”.
I riu tjetër Pajtim Canolli, thotë se nuk ndjehet i rrezikuar për të mbajtur armë të ftohta.
“S’kam mbajtur kurrë, as nuk frikësohem prej askujt, as nuk i bëj askujt dëm dhe askush nuk më bën mua".
Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Refki Morina, thotë se gjatë kontrollimit rutinor, ka raste kur pjesëtarët e policisë gjejnë tek të rinjtë armë të ndryshme.
“Armë të ftohta ka raste. Në të shumtën e rasteve që ndodhin, sidomos në orët e vona, gjejmë thika, kaçavida, mjete të ndryshme shpërthyese, por ka edhe raste kur në automjetet apo çantat e tyre të gjendet edhe ndonjë mjet tjetër shpërthyes, që është i rrezikshëm edhe për të edhe për rrethin, ku jeton e vepron”.
Por, Morina thotë se në përgjithësi në Kosovë është minimizuar numri i veprave penale, që të rinjtë apo të miturit i kryejnë nga përdorimi i armëve qoftë të zjarrit, apo të ftohta.
“Kemi ta zëmë në vit 2-3 raste kur i mituri mund të jetë kryes i veprës penale të vrasjes ose plagosjes me armë zjarri. Dita ditës shihet që mund të ketë një muaj apo dy që nuk ndodh asnjë vepër penale, të kryera nga të miturit qoftë me armë zjarri, plagosje, vrasje ose ndonjë vepër tjetër. Kjo dëshmon se te ne familja është më e fortë në aspektin e edukimit të gjeneratave të reja, në aspektin e përcjelljes së tyre ashtu që në duar të tyre të mos ketë mjete te rrezikshme”.
Morina thotë se koordinimi i mirë mes familjes, policisë dhe shkollës ka bërë që në Kosovë të parandalohen vepra të shumta penale.

XS
SM
MD
LG