Ndërlidhjet

NË TAKIMIN "DIALOGU RAJONAL DHE SIGURIA" PRITEN TË DISKUTOHEN ÇËSHTJET AKTUALE


Albana Isufi, Prishtinë

Të hënën e ardhshme në Budapest pritet që të mblidhen në një takim jozyrtar, përfaqësues shqiptarë e serbë të Kosovës, si dhe zyrtarë nga Beogradi, për të diskutuar zbatimin e standardeve si dhe proceset tjera politike në Kosovë.
Në takimin që është quajtur joformal, do marrin pjesë edhe përfaqësues nga UNMIK-u , por edhe nga zyrat e Quintit në Kosovë.
“UNMIK-u do të përfaqësohet në këtë takim nga Departamenti politik,” thotë drejtoresha për informin në UNMIK Hua Jiang, duke mos dhënë detaje të tjera për përmbajtjen e takimit.
Njëri nga pjesëmarrësit e takimit, Ministri i Pushtetit Lokal Lutfi Haziri, i tha Radios Evropa e Lirë se pavarësisht se nga takimi nuk do të nxjerren rezultate obligative, ai mund të jetë një shtysë në proceset që do zhvillohen në Kosovë këtë vit.
“Nuk dihet se çfarë do të diskutohet saktësisht, do të diskutohen çështje që janë më rendësi, reformimi apo zbatimi i standardeve".
Në takim të ftuar janë shefat e grupeve parlamentare të pozitës dhe opozitës. Jakup Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës thotë se duke marrë parasysh natyrën joformale të takimit, nuk priten rezultate konkrete.
“Nuk presim kushedi çfarë", tha zoti Krasniqi, duke shtuar se qëllim parësor i takimit mund të jetë afrimi i qëndrimeve të palëve, para se të fillojë një proces i vërtetë i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit:
“ Siduket roli i tyre dhe qëllimi i tyre është që të përgatitin një nivel më të mirë të dialogut rajonal dhe kjo mund të jetë një shkallë më tepër përgatitore. Në shkallën tjetër sigurisht do të marrin në një nivel tjetër politik."
Ndërkohë, në takimin e së hënës pritet që decentralizimi të zërë një vend të veçantë. Personi përgjegjës për këtë proces në Kosovë, Ministri i Pushtetit Lokal Lutfi Haziri, nuk pret ndonjë gjë konkrete nga ky diskutim.
“Kosova është ende në procesin e reformimit. Por niveli i bisedimeve është joformal dhe diçka që është joformale nuk është obligative. Përkundër involvimit të madh të njerëzve dhe institucioneve të rëndësishme, besoj se bisedimet do të sjellin rezultat, do të ndikojnë pozitivisht në proceset që priten të ndodhin gjatë këtij viti".
Në anën tjetër opozitari Jakup Krasnqi thotë se në Budapest, PDK-ja në bisedimet me zyrtarët serbë, do t’i mbrojë qëndrimet e saj rreth decentralizimit, si dhe proceseve të tjera që po zhvillohen në Kosovë.
“ Ne do ta mbrojmë politikën tonë, por sidomos për çështjet e sigurisë, për çështjen e statusit, për çështjen e standardeve dhe për çështjen e reformimit apo decentralizimit të pushtetit lokal. Natyrisht ne do ta mbrojmë politikën që është miratuar dhe vitin e kaluar në institucionet e Kosovës".
Takimin e quajtur “Dialogu rajonal dhe siguria” e organizon Qendra e Gjenevës për Çështje Politike, që është një fondacion ndërkombëtar dhe vepron në kuadër të Partneritetit për Paqe. Qendra ndër të tjera, merret me trajnimin e diplomatëve e oficerëve ushtarakë në çështjet ndërkombëtare të sigurisë, si dhe organizon takime e konferenca për të promovuar dialogun rajonal.

XS
SM
MD
LG