Ndërlidhjet

NIVELI I ARSIMIT NË KOSOVË GJENDET NË MESIN E VENDEVE TË TJERA TË RAJONIT


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Niveli i arsimit në përgjithësi në Kosovë, gjendet në mesin e vendeve të tjera të rajonit, thonë organet kompetente, por edhe përkundër këtij fakti, këto organe nuk janë të kënaqura me këtë nivel të arsimit. Dugagjin Pupovci, udhëheqës i Qendrës për Arsim të Kosovës, tha se shkollimi në Kosovë është përballur me sfida të shumta gjatë viteve të nëntëdhjeta dhe veçanërisht kur janë shkatërruar shkollat dhe infrastruktura, ndërsa universiteti dhe disa shkolla ishin mbyllur përkohësisht. Megjithatë, thotë zoti Pupovci, trendet e përgjithshme në Kosovë tregojnë shenja të përmirësimit dhe lidhur më këtë, tha ai, Kosova, sa i përket shkollimit, ka më shumë gjëra të përafërta me vendet e zhvillimit të lartë njerëzor, sesa me ato të zhvillimit të ulët njerëzor.
"Mendoj se në radhë të parë ne nuk duhet të jemi të kënaqur më faktin se ndodhemi në mesin e vendëve me zhvillim mesatar njerëzor. Duke marrë parasysh situatën tonë objektive në radhë të parë, nivelin e tanishëm të zhvillimit ekonomik, ne këtë mund ta tejkalojmë vetëm me anë të zhvillimit të kapitalit njerëzor, sepse Kosova nuk ka pasuri natyrore me të cilat mund të jetë garuese në tregun ndërkombetar, prandaj i vetmi kapital i cili mund të posedojë është kapitali njerëzor".
Mirëpo, zoti Pupovci, shprehet se në bazë të disa analizave që janë bërë në Kosovë tregohet se egziston një pengesë e madhe në mes të nivelit të arsimit në zonat rurale dhe ato urbane. 60 përqind e popullatës kosovare jeton në viset rurale dhe sipas zotit Pupovci, kjo paraqet pengesë të madhe për një zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë.
"Në bazë të disa statistikave të cilat i posedojmë, në viset rurale rreth 53 për qind e popullatës ka vetëm shkollën fillore, ndërsa rreth 32 për qind e njerëzve e kanë shkollën e mesme. Ndërkaq numri i atyre që kanë shkollim të lartë është nën 10 përqind. Por, kur është fjala për zonat urbane aty shkollën e mesme e kanë mbi 50 për qind të njerëzve, ndërsa numri i atyre më shkollim të lartë ose pjesëmarrja e atyre me shkollim të lartë sillet dikund rreth 17 për qind. Këto statistika paraqesin një pengesë të patejkalueshme për zhvillim të qëndrushëm të Kosovës", tha zoti Pupovci.
Muhamet Sadiku, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore "RIINVEST" ndërkaq tha se 25 për qind e popullatës kosovare janë të arsimuar.
Ai njëherit tha se nëse bëhet një krahasim me vendet e tjera të rajonit, niveli i arsimit në Kosovë është në gjendje të pavolitshme.
"Arsimi duhet të konsiderohet si faktor i rëndësishëm edhe si aftësi konkuruese e ekonomisë së Kosovës, pasi liberalizimi i tregut ka futur elemente të reja edhe në aftësinë konkuruese, në vetëdijen dhe arsimin e spektrit të gjerë.”
Ministria e Arsimit, në mungesë të regjistrimit të përgjithshëm të popullatës, nuk ka statistika të sakta se sa është niveli i arsimit në Kosovë, thotë Xhavit Rexhaj, nga kjo ministri. Por, sipas tij, 35 për qind e brezit të ri në këtë vit i kanë vazhduar studimet.
"Kosova ka përfshirje shumë të ulët në arsimin e lartë. Kjo përfshirje këtë vit të fundit, me futjen e zbatimit me korrespodencë edhe të institucioneve private të arsimit është përmirësuar pak, por megjithatë prapë Kosova mbetet më e ulta në rajon për këtë vit. Flitet për 12 deri në 13 për qind e grupmoshës 18-25 që studion në universitet."
Ndryshe, niveli i analfabetizimit në Kosovë është nën 10 përqind, çka do të thotë që sipas organeve kompetente kjo për qindje është e ngjashme më atë në Maqedoni, por është më e ulët se në Shqipëri dhe Bosnje Hercegovinë. Sidoqoftë, sipas këtyre organeve, Kosova radhitet në fund të vendeve të Ballkanit dhe në mesin e vendeve më të pazhvilluara të Evropës.


XS
SM
MD
LG