Ndërlidhjet

logo-print

VAZHDOJNË KËRKIMET PËR TRUPAT AMERIKANË


Alma Çupi, Tiranë

Që në orët e para të mëngjesit të sotëm, forcat e batalionit special të ushtrisë shqiptare, forcat ajrore dhe ato të policisë ushtarake, kanë nisur kërkimet për trupat e ushtarëve amerikanë që humbën jetën mbrëmë vonë gjatë rrëzimit të aeroplanit ushtarak amerikan C130 në zonën e Gramshit. Sipas Gjeneral Lejtnant Pëllumb Qazimit, në bordin e aeroplanit ndodheshin 9 ushtarakë amerikanë.
"Në bordin e tij ndodheshin 9 ushtarakë amerikanë. Operacioni i gjerë i kërkim-shpëtimit, do të vazhdojë deri në arritjen përfundimtare të objektivit. Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Alfred Moisiu, kryeministri Fatos Nano dhe Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko, kanë ndjekur hap pas hapi dinamikën e gjithë kësaj situate të rëndë".
Deri më tani janë arritur të gjenden katër trupa pa jetë të ushtarëve, ndërkohë që aeroplani është djegur e shkatërruar, gjë që i ka ulur mjaft shpresat për të gjetur të mbijetuar.
Në kërkimet në vendngjarje, që kanë nisur sot rreth orës 4 të mëngjesit, marrin pjesë edhe të rinj nga fshatrat e zonës përreth, që po ndihmojnë trupat speciale. Aeroplani ushtarak amerikan C130, u rrëzua dje pas orës 20.05 minuta në vendin e quajtur "Qafa e Ujtë" në vargmalin e Gribës. Sipas gjeneral Pëllumb Qazimit, aeroplani ishte nisur nga Aeroporti i Rinasit dhe ishte duke marrë pjesë në manovra të përbashkëta shqiptaro-amerikane.
Ministria e Mbrojtjes konfirmon për një stërvitje ushtarake të planifikuar, që zhvillohej prej tre ditësh në territorin shqiptar.
Gjeneral Pëllumb Qazimi në një konferencë të përbashkët për shtyp me ambasadoren e SHBA-ve në Tiranë Marcie Rice, tha se ndan dhimbjen:
"Dhimbjen e ndaj me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ushtarakët amerikanë, dhe u gjendemi pranë në këtë ditë dhimbjeje bashkëqytetarëve dhe kolegëve të tyre të uniformës".
Ndërsa ambasadorja Rice vlerësoi angazhimin e qeverisë dhe të forcave të armatosura shqiptare në gjetjen e trupave të ushtarëve. Ajo u shpreh:
"Ky ishte një shembull tjetër i bashkëpunimit të shkëlqyer që egziston në mes të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës".
Aeroplani i rrëzuar i përkiste bazës së Mildenhallit në Britaninë e Madhe. Banorët e zonës thanë se kanë dëgjuar fillimisht një shpërthim tronditës dhe më pas kanë parë flakë të larta nga vendi ku ishte rrëzuar aeroplani. Përpara rrëzimit aeroplani C130 ka lëshuar sinjalin e ndihmës SOS, sinjal i cili është kapur edhe nga kulla e kontrollit ajror në Brindizi të Italisë dhe nga stacionet e kontrollit në Rinas. Nuk është e qartë ende nëse sinjali i ndihmës është lëshuar nga aeroplani i rrëzuar apo ndonjë aeroplan tjetër C130, që merrte pjesë në stërvitje dhe ka parë aksidentin. Menjëherë pas marrjes së lajmit, 4 helikopterë shqiptarë janë përgatitur të nisen nga Rinasi, por nuk e kanë pasur të mundur të fluturojnë gjatë natës dhe për të nisur kërkimet është pritur zbardhja e ditës. Ndërkohë një helikopter ushtarak amerikan ka survejuar dje nga sipër zonën e rrëzimit, por pa mundur të ulet. Terreni në vendin e fatkeqësisë është mjaft i vështirë dhe i mbuluar nga dëbora. Koha e keqe dhe rreshjet e dëborës vazhdojnë edhe sot në zonën e Gramshit, ku është rrëzuar aeroplani, duke vështirësuar më tej operacionet e kërkimit.

XS
SM
MD
LG