Ndërlidhjet

PËR ÇËSHTJET ME INTERES MADHOR, KONSENZUSI POLITIK I DOMOSDOSHËM


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Partitë kryesore politike të Kosovës, si partnerët e koalicionit qeveritar, ashtu edhe ato të opozitës, mbështesin qëndrimet e shprehura dje nga liderët e institucioneve për domosdoshmërinë e konsenzusit dhe bashkëpunimit për çështje që janë quajtur me interes për Kosovën. Mirëpo, ndërkohë jo të gjitha kanë vizion të qartë lidhur me mekanizmat, përmes të të cilëve do të formalizohej një konsenzus dhe bashkëpunim i tillë.
Lulëzim Zeneli, zëdhënës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se partia më e madhe e Kosovës ka qëndrim krejt të qartë për këtë çështje:
"Kur ka të bëjë me projektet kombëtare, qëndrimi i LDK-së është shumë i qartë dhe ka të bëjë me përfshirjen e të gjitha grupimet politike, siç është rasti me procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar. Pra, në këtë plan, nuk ka asnjë dilemë, por edhe institucionet e Kosovës, duke filluar nga presidenti, parlamenti dhe qeveria në këtë drejtim egziston konsenzus i plotë".
Ndërkaq, Naim Maloku, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që ka dhënë kryeministrin e Kosovës, thotë se bashkëpunimi në procesin e përcaktimit të statusit, duhet të shtrihet madje edhe përtej bashkëpunimit ndërmjet pozitës dhe opozitës:
"Sa u përket çështjeve me interes të përgjithshëm për Kosovën, siç është përcaktimi i statusit përfundimtar, pjesëmarrës në grupin, i cili do të merret me bisedimet për statusin përfundimtar, duhet të jenë praktikisht të gjitha subjektet politike, pra jo vetëm ato që janë të përfaqësuara në parlamentin e Kosovës, por edhe Akademia e Shkencave, Universiteti i Prishtinës".
Enver Hoxhaj, nga subjekti më i madh politik i opozitës, Partia Demokratike e Kosovës, thotë se parlamenti është vendi ku duhet të vendoset për çështjet e mëdha:
"Ne jemi të interesuar që të ketë pajtueshmëri të plotë dhe konsenzus kombëtar dhe forma më e mirë që të arrihet kjo është në Kuvendin e Kosovës, ngase Kuvendi i Kosovës është i vetmi forum, i cili e reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës."
Mirëpo, jo të gjithë mund të flasin për mekanizmat, përmes të të cilëve duhet të realizohet bashkëpunimi, për të cilin të gjithë pajtohen se është i domosdoshëm. Lulëzim Zeneli i Lidhjes Demokratike, thotë se përcaktimi i mekanizmave i përket zhvillimit të procesit:
"Kjo është çështje e procesit që zhvillohet në vijim, mirëpo unë konsideroj se hapat që do të ndërmerren në institucionet e Kosovës, do të jenë në koherencë të plotë me nevojat që shtron procesi politik në vend".
Ndërkaq, Naim Maloku nga AAK-ja, thotë se kjo parti në procesin e përcaktimit të statusit, do të marrë përgjegjësi aq sa ka edhe vota:
"Sa i përket AAK-së, mendoj se në pjesën institucionale, AAK nuk mund të ketë përgjegjësi dhe pjesëmarrje më shumë se 9 për qind sa ka përkrahjen e votuesve dhe të elektoratit të Kosovës".
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës është e mendimit se ka disa opsione për të ndërtuar këto mekanizma, thotë Enver Hoxhaj, nënkryetar i kësaj partie:
"Qeveria e Kosovës mund ta dalë me ndonjë platformë konkrete se si e sheh përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe një dokument i tillë do të mund të diskutohej në Kuvendin e Kosovës, ose mund të ishte e kundërta që Kuvendi të vendosë të formojë një komision ad-hoc, i cili do të merrej me përgatitjet e nevojshme rreth përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës".
Ideja për konsenzus të plotë dhe bashkëpunim për çështjet që konsiderohen me interes të madh ndërmjet të gjitha forcave kryesore politike, pa marrë parasysh nëse ato janë në pozitë apo në opozitë, për herë të parë është lansuar pas takimeve që presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, ka pasur në mesin e këtij muaji me liderët e partive opozitare, Hashim Thaçi dhe Veton Surroi.



XS
SM
MD
LG