Ndërlidhjet

RRAHJA E NXËNËSIT, EPILOGU NË GJYQ


Bekim Bislimi, Prishtinë

Dhuna fizike dhe psiqike dhe përdorimi i saj nga personeli arsimor ndaj nxënësve në shkolla është i ndaluar me ligj, në bazë të udhëzimit administrativ 44/2004 të lëshuar nga administrata ndërkombëtare në Kosovë, por përkundër kësaj dhuna ushtrohet. Rasti i fundit i përdorimit të dhunës së këtij lloji, ka ndodhur më 24 mars të këtij viti në shkollën fillore "Meto Bajraktari" në Prishtinë. Këtë e ka vërtetuar drejtori i kësaj shkolle Munish Hyseni.
" Pas përfundimit të orës së pestë, një grup nxënësish të klasës 7/3 janë vendosur në fushën e sportit. Ndërsa në orën e gjashtë mësimdhënësi Tefik Fazlliu ka patur mësim me 7/2 dhe këtu ka filluar problemi. Natyrisht që mësimdhënësi i ka larguar prej fushës, por ata i kanë brohoritur "lëshoni fushën, lëshoni fushën". Pastaj ai ka vrapuar drejt tyre dhe ka përdorur dhunën ndaj nxënësit Ilir Ibrahimi, nxënësit të klasës 7/3."
Ndërkaq nxënësi Ilir Ibrahimi, në pamundësi që për shkaqe të caktuara të takojë drejtorin e shkollës dhe t'ia shpjegojë rastin, këtë e ka bërë në Shërbimin Policor të Kosovës.
" Ka ardhur arsimtari e ka thënë- jashtë. Ne jemi nisur i kemi marrë çantat, e klasës kundërshtare me të cilën kishim luajtur i thërrisnim – jashtë, jashtë. Pasi kemi dalë prej fushe na tha ne 4 shokëve hajdeni këtu. Nuk kemi shkuar se e dinim se do na rrihte. Mua kur më ka ndjekur, më ka zënë, më ka goditur në fytyrë me shpulla, më ka rrëzuar dhe kur isha në tokë më ka goditur brinjve. Kur jam çuar më ka dhënë dhe një shkelm dhe më ka shtyrë pastaj."
Ndërkaq Sabrie Kamberi, zëdhënëse e Shërbimit policosr rajonal të Prishtinës, thekson se policia tashmë e ka shqyrtuar rastin e ndodhur në shkollën " "Meto Bajraktari".
" Nxënësi për të cilin po flasim, është nxënës i shkollës fillore "Meto Bajraktari". Ka ardhur me prindin për të paraqitur rastin. Njësitë e hetimeve kanë marrë prej tij një deklaratë, ndërkohë kanë marrë deklaratë edhe nga profesori dhe lënda është duke u kompletuar dhe është në procedim. Hetimet janë duke u zhvilluar, duke u shtjelluar, do të dërgohen në gjykatë për kundërvajtje dhe të shohim se çfarë do të ndërmerret më tutje".
Siç rrëfen Iliri dhe prindi i tij Zahir Ibrahimi, pjesëtarët e SHPK-së e kishin dërguar Ilirin në qendrën për ndihmë emergjente në Prishtinë. Për pasojat e dhunës së ushtruar ndaj Ilirit flet babai i tij:
"Kishte patur rast urgjence. Nuk e kanë kontrolluar shumë. Normalisht u ankua edhe më vonë, thoshte që i dhimbte ende në brinjë. Hundët i kanë nxjerrë gjak katër –pesë ditë rregullisht, kurrgjë më nuk kam ndërmarrë. Po pres ta takoj atë sa të fillojë shkolla. A është normal a është për të dhënë mësim apo për çfarë është në shkollë, pasi unë nuk e kam çuar djalin që të ma rrafin. Kam për ta takuar vetë. Nëse nuk do të mundem ta takoj, atëhere normalisht do të bëj edhe unë padi."
Për shkak të asaj që kishte ndodhur më 24 mars, Iliri të nesërmen nuk qëndroi në shkollë për të ndjekur mësimin.
" Si pa lidhje më dukej kur të gjithë më pyesnin. Nuk mund t'ju tregoja se si më ka ndodhur të gjithëve. Vetëm 2 orë ndenja dhe u nisa për në shtëpi".
Ndërkaq drejtori i shkollës Munish Hysejni thekson se ndaj arsimtarit që ka përdorur dhunën do të merren masat konform rregulloreve përkatëse, por si gjest moral do të rishikojë dhe pozicionin e tij si drejtues i shkollës.
" Natyrisht se edhe mësimdhënësit janë në dijeni për këtë veprim, por edhe me atë se dhuna e çfarëdolloji, jo vetëm fizike, është e ndaluar të përdoret ndaj nxënësve në shkollë. Do ta shohim përgjegjësinë e mësimdhënësit, natyrisht edhe vetë do të rishikoj pozitën time të drejtorit, sepse unë nuk mund të jem një drejtues ku mungon disiplina, ku përdoret dhuna fizike ndaj nxënësve poshtërimi dhe fyerjet që bëhen ndaj tyre. Përkundër apelit tim, përkundër sugjerimeve, përkundër leximit të rregulloreve, të ligjeve, fatkeqësisht nuk kam arritur që ta qetësoj dhe ta zbres. Ajo është zbritur por jo në nivelin që kërkon një shkollë dhe që kërkojnë rregullat dhe ligjet".

XS
SM
MD
LG