Ndërlidhjet

logo-print

VLERËSIMI I STANDARDEVE PRIORITARE DO TË PËRMBYLLET MË 16 MAJ


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kosova do të hyjë në muajin qershor me një përparim të dukshëm në standardet prioritare, është thënë sot pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Bajram Kosumi me kryetarët e komunave të Kosovës. Koordinatori vendor për standardet Avni Arifi, ka tërhequr vërejtjen se matja e standardeve duhet bërë në standardet me prioritet, mbi bazën e të cilave bashkësia ndërkombëtare do të bëjë vlerësimin përfundimtar. Ndërkaq, sa u përket standardeve të tjera, ato do të vazhdojnë të plotësohen në proces, ka thënë ai.
“Vlerësimi në mesin e këtij viti do të bëhet, do të përqëndrohet, në vlerësimin e standardeve prioritare. Nëse ne i përmbushim standardet prioritare, ose kemi një progres të madh në këto standarde, atëherë do të kemi një bazë të mirë për fillimin e diskutimeve mbi statusin e Kosovës”, tha Avni Arifi, duke shtuar se sa u përket standardeve të tjera, në tërësi, ato do të kërkojnë më shumë kohë dhe se ato nuk mund të përmbushen deri në qershor.
Për standardet që në përgjithësi do të jenë një proces i gjatë, ai mori si shembuj standardet që kërkojnë shuarjen e strukturave paralele dhe atë që kërkon privatizimin e të gjitha ndërmarrjeve nga ish-sektori shoqëror, në të cilat institucionet e Kosovës nuk kanë përgjegjësi veprimi.
Mirëpo, megjithatë, qershori nuk është i pa arritshëm për përmbushjen e standardeve prioritare, tha Arifi. Me vlerësimet e tij është pajtuar dhe zëvendës kryeministri i Kosovës Adem Salihaj. Në përgjithësi nga të gjitha diskutimet është parë se komunat kanë ecur përpara në plotësimin e standardeve dhe një pjesë e tyre janë përmbushur në nivel të duhur, tha Salihaj, për të shtuar se megjithatë në disa standarde të cilat identifikohen më tepër si teknike, ka ngecje. Në këto standarde teknike ku ka ngecje, Salihaj veçoi dhe standardin e paplotësuar ende, i cili kërkon nga komunat t’i venë mbishkrimet në tre gjuhët zyrtare të rrugëve, vendbanimeve dhe shesheve.
Sidoqoftë, edhe Salihaj shprehu bindjen e tij se deri në qershorin e këtij viti, standardet me prioritet do të plotësohen në nivelin e duhur:
“Prej 10 prillit e tutje, do të hymë në një fazë shumë më dinamike, shumë më të rëndësishme dhe besoj se do të kemi takime edhe më të shpeshta, edhe të grupeve punuese, edhe të komunave, në mënyrë që të ecim me sukses deri në qershor, si një fazë shumë më e rëndësishme e procesit tonë”, tha Salihaj.
Sot, për herë të parë është bërë publik dhe plani veprues, i cili përcakton dinamikën e punëve që do të kryhen në Prishtinë deri në mesin e këtij viti. Për standardet me prioritet mbi të cilat do të bëhet vlerësimi, procesi i hartimit të draftit teknik mbi përmbushjen e tyre në Prishtinë, do të përmbyllet më 16 maj, me konkluzionet përfundimtare të shefit të UNMIK-ut, të cilat thuhet se do të bazohen dhe në raportin e UNMIK-ut dhe Qeverisë së Kosovës, në koordinim edhe me Grupin e Kontaktit. Ndërkaq vlerësimi përfundimtar, ai politik do të bëhet më 26 maj nga ana e Këshillit të Sigurimit. Me marrjen e vlerësimit pozitiv, parashihet që Kosova të kalojë në fazën tjetër, atë të diskutimeve mbi statusin e saj, ndërkaq me vlerësimin eventual negativ, procesi vlerësohet se do të ishte më i paparashikueshëm.


XS
SM
MD
LG