Ndërlidhjet

logo-print

VATIKAN


Gjendja shëndetësore e Papa Gjon Palit të Dytë është shumë serioze, ka temperaturë të lartë dhe tregon shenjat e para të humbjes së vetëdijes, ka bërë të ditur Selia e Shenjtë. Zëdhënësi i Vatikanit Joakim Navarro Vals ka vënë në pah se megjithate Papa nuk është në gjendje kome. Televizioni italian ka cituar kardinalët më të lartë të Vatikanit të kenë thënë se Papa është i vetëdijshëm se është duke ndërruar jetë dhe se e ka thënë lamtumirën e fundit.
Më heret agjencia italiane e lajmeve kishte cituar një burim mjekësor të ketë thënë se Papa në formë progresive është duke e humbur vetëdijen.
Mijëra besimtarë në Vatikan bashkë me miliona të tjerë në gjithë botën vazhdojnë të luten dhe të nderojnë Papa Gjon Palin e Dytë.
Lutjeve për Papën iu bashkangjit edhe presidenti amerikan George Bush.
"Shenjtëria e tij është shërbyes i devotshëm i Zotit, kampion i dinjitetit njerëzor dhe lirisë. Ai është inspirim për të gjithë ne. Laura dhe unë u bashkohemi miliona amerikanëve dhe të tjerëve në gjithë botën që janë duke u lutur për Atin e Shenjtë" ka thënë presidenti amerikan, George Bush.
Është prononcuar edhe ish presidenti i Polonisë Leh Valensa, i cili ka vënë në pah rolin e madh të Papa Gjon Palit të Dytë në rrëzimin e komunizmit.
"Po të mos ishte Papa Gjon Pali i Dytë, komunizmi ende do të ishte këtu në Poloni, komunizmi do të kishte jetë shumë më të gjatë. Papa solli shpresën, ai inkurajoi popujt, ata filluan betejën dhe ne tash kemi një botë të lirë" tha Leh Valensa.
Në shenjë nderimi për Papën, në Itali sot janë anuluar të gjitha manifestimet sportive.
XS
SM
MD
LG