Ndërlidhjet

DITË ZIJE NË KOSOVË PËR VDEKJEN E PAPA GJON PALIT TË II


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësues të bashkësive të ndryshme fetare dhe përfaqësues të politikës në Kosovë, kanë vazhduar ta kujtojnë me respekt veprën e madhe njerëzore të Papa Gjon Palit të II, i cili ndërroi jetë mbrëmjen e të shtunës. Bashkësia Islame e Kosovës i ka dërguar një telegram ngushëllimi Kryeipeshkvit të Kosovës imzot Mark Sopit, duke e çmuar lart figurën e papës, tha Haxhiresul Rexhepi, këshilltar i kryesisë së Bashkësisë Islame:
"Si vizionar dhe largpamës që ishte, kontributi i Papës për ndryshimin e rrjedhave të historisë nuk do të harrohet kurrë. Papa do të mbahet mend si njeri i përkushtuar për paqe e bashkëjetesë ndërmjet popujve dhe religjioneve, prandaj vdekja e tij është humbje, jo vetëm për botën katolike, por për të gjithë popujt paqedashës. Ne do ta mbajmë mend se ai qe Papa i parë që u lut edhe në xhami, duke i dhënë shtytje edhe më shumë dialogut ndërfetar".
Sipas tij, në telegramin e Bashkësisë Islame drejtuar Ipeshkvisë së Kosovës, thuhet se pavarësisht që shumica e shqiptarëve të Kosovës janë të besimit mysliman, shqiptarët pa dallim e çmojnë veprën e Papa Gjon Palit të II:
"Ne shqiptarët e Kosovës në veçanti e çmojmë lart kontributin e tij për Kosovën, pasi ai ishte një mik i madh i popullit tonë, prandaj vdekja e Papa Gjon Palit të II është një humbje e madhe për tolerancën dhe paqen në botë."
Në anën tjetër, kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Dom Shan Zefi tha se Papa ka shënuar një epokë të tërë me shenjtërinë e tij:
"Fjala e parë që kam thënë është se ky Papë e ka dëshmuar se është i shenjtë. Vetë veprimtaria e tij, njerëzore, humane, ka qenë vërtet shenjtëruese. Ka hapur një vizion të madh dhe ka thyer të gjitha muret ndarëse, prandaj bota e krishterë, edhe bota islamike, edhe bota hebreje duhet të mësojë shumë nga ky Papë që vërtet ka qenë i shenjtë."
Dom Shan Zefi ka përsëritur kontributin e madh të kreut të deritashëm të Selisë së Shenjtë për Kosovën dhe për popullin shqiptar, ndërkohë që sipas tij, tani e tutje do të mund të dihet edhe më shumë për veprën e Papës në favor të çështje së Kosovës:
"Ajo që ende nuk dihet, por që sigurisht do të mund të shihet në letrat e tij, edhe ato sekrete, që ka këmbyer me të gjithë kryetarët e botës, në rend të parë me Amerikën, Kombet e Bashkuara dhe me ata të Evropës, shihet qartë se Papa ka dëshiruar që këtë popull ta mbrojë, ka dëshiruar që thjesht ky popull të jetë i lirë, ka dëshiruar ta mbrojë qenien njerëzore shqiptare."
Edhe partitë kryesore politike të Kosovës kanë ngushëlluar Selinë e Shenjtë dhe Ipeshkvinë e Kosovës me rastin e vdekjes së Papa Gjon Palit. Kolë Berisha, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me këtë rast tha:
"Ishte at shpirtëror jo vetëm i besimtarëve katolikë, por gjatë tërë jetës së tij në vend të barrierave ndërtoi ura, që lidhin popujt dhe religjionet e gjithë planetit. Ai çliroi shpirtërisht së pari, pastaj i vizitoi, i bekoi dhe i ndihmoi popujt dhe vendet të cilat për më shumë se një shekull i kishte robëruar, mallkuar dhe poshtëruar murtaja e komunizmit".
Zoti Berisha tha se populli i Kosovës asnjëherë nuk do ta harrojë figurën e Papës.
"Ishte ai që me aq admirim përkujtonte dy figurat më të mëdha të popullit shqiptar, atletin e krishterimit, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe bijën tonë më të madhe të botës, Nënën Terezë, por edhe mbarë popullin shqiptar. Populli shqiptar në përgjithësi dhe ai i Kosovës në veçanti, nuk do ta harrojë kurrë përkrahjen që ia dha atij Ati i Shenjtë në momentet më të rënda të historisë. "
Përndryshe në Kosovë edhe sot po respektohet dita e dytë e zisë në nderim të Papa Gjon Palit të II, shpallur nga presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova.

XS
SM
MD
LG