Ndërlidhjet

RUECKER PREMTON DINAMIZIM TË PRIVATIZIMIT


Albana Isufi, Prishtinë

Dinamikë më e madhe në procesin e privatizimit është paralajmëruar sërish sot nga shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut Joachim Ruecker.
Brenda këtij muaji Ruecker ka paralajmëruar se do të nënshkruajë kontratat e ndërmarrjeve të shitura në raundin e katërt dhe të shpallë raundin e pestë të privatizimit.
“Ne në AKM po bëhemi gati për raundin e 6-të, ky është një qëllim ambicioz, por ne duam që të privatizojmë brenda 12 muajve 90 për qind të ndërmarrjeve, që janë nën juridiksionin e AKM-së”, thotë shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Joachim Ruecker.
Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se ndryshe nga paraardhësi i tij Nicolaus Lambsdorf, Joachim Ruecker ka filluar punën e tij me një përkushtim më të madh.
Megjithatë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Ismail Kastrati, dyshon se të gjitha ndërmarrjet do të mund të privatizohen brenda 12 muajve.
“Besojmë se punët do të ecin mjaft shpejt, por a do të privatizohen të gjitha brenda 12 muajve, është vështirë që të besohet”.
Joachim Ruecker mendon se janë disa arsye që tani po e lehtësojnë dhe e shpejtojnë procesin e privatizimit.
“Një janë ndryshimet në rregulloren e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, që do t’i marrim nga New Yorku dhe gjëja tjetër është se kemi përgjigje pozitive ndaj kërkesës sonë bërë zyrtarëve të Beogradit, që të kemi qasje në dokumentet kadastrale dhe dokumentet e tjera të lidhura me pronën, me qëllim që të lehtësohet përcaktimi i pronarëve të ndërmarrjeve”, tha Ruecker, i cili më tej sqaroi ndryshimet që priten t’u bëhen rregulloreve të AKM-së.
“ Subjekt i nënshkrimit final që po presim nga New Yorku është e drejta për të shpronësuar të mirat publike dhe për të shitur ndërmarrjet, pronësia e të cilave është e paqartë. Nga kjo veçanërisht do të kenë përfitime vende si Gjakova, ku deri tani nuk ka pasur pothuajse fare privatizime”, tha Ruecker.
Eksperti Ismail Kastrati mendon se në kuadër të këtyre ndryshimeve, do të duhej që sa më shumë ndërmarrje të futen në procesin e spin off-it special.
“Ne kemi menduar që sa më shumë ndërmarrje të futen në procesin e spin off-it special, me qëllim të ruajtjes së destinacionit dhe investimeve, me qëllim të rigjenerimit të punësimit. Mendojmë se duhet të plotësohet ligji mbi tokën për ndërmarrjet, që do të futen në procesin e likuidimit si dhe fillimi i procesit të privatizimit edhe për ndërmarrjet, që do të privatizohen përmes procesit të likuidimit”.
Agjencisë Kosovare e Mirëbesimit në bazë të rregullores së UNMIK-ut, sipas së cilës vepron, në mes të këtij viti do t’i skadojë mandati. Joachim Ruecker thotë se mandati i AKM-së do të zgjatet për një kohë të pacaktuar.
“Ne jemi pajtuar me anëtarët e bordit të AKM-së muajin e kaluar se mandati i AKM-së duhet të zgjatet me qëllim që të përfundojnë punët. Ndoshta do jetë një zgjatje e afatit për kohë të pacaktuar, por siç e thashë qëllimi im është që të kryej punët brenda 12 muajve," tha Joachim Ruecker.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se do të ishte më logjike, që të afatizohet mandati i AKM-së, në mënyrë që procesi i privatizmit të mos ketë zvarritje të mëtutjeshme.



XS
SM
MD
LG