Ndërlidhjet

logo-print

KS BËN VLERËSIMIN PËRFUNDIMTAR TË STANDARDEVE, NDËRSA GK DO JETË FAKTOR AKTIV NË PROCES


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

UNMIK-u dhe qeveria i kanë plotësisht të qarta mekanizmat për vlerësimin e përmbushjes apo përparimit të arritur në përmbushjen e standardeve, ndërkohë që fjala përfundimtare për vlerësimin politik të standardeve do t’i takojë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Zyrtarë të UNMIK-ut dhe të qeverisë së Kosovës thanë se tani ka filluar faza përfundimtare e vlerësimit të standardeve rresht për rresht në grupet punuese, ku një rol të rëndësishëm ka edhe Grupi i Kontaktit.
Neeraj Singh, zëdhënës i UNMIK-ut, tha se procesi aktualisht është në fazën kur koordinatorët, si nga qeveria ashtu edhe nga UNMIK-u, për secilin standard, janë duke përgatitur vlerësimin rresht për rresht për secilin nga synimet e standardeve. Sipas zotit Singh, më pas do të përgatitet raporti i vlerësimit teknik, i cili do t’i dërgohet Këshillit të Sigurimit:
"Më pas kjo do të dërgohet në Këshillin e Sigurimit ku do të prezantohet në maj si pjesë e raportit të sekretarit Anan dhe kështu përfundimisht do të vlerësohet në Këshillin e Sigurimit," tha zëdhënësi Neeraj Singh.
Ndërkaq, sipas koordinatorit të qeverisë së Kosovës për standardet, Avni Arifi, tashmë janë të qartë mekanizmat për të vlerësuar përparimin dhe përmbushjen e plotë eventuale të standardeve. Ai tha se në fazën e tretë, që tashmë ka filluar, janë tre shkallë në të cilat bëhet vlerësimi:
“Në shkallën e parë, pra në vlerësimin rresht për rresht, mekanizmat që e vlerësojnë përmbushjen e standardeve janë institucionet e Kosovës bashkë me UNMIK-un, në fazën e dytë që është vlerësimi teknik përpilohen nga UNMIK-u, nga koordinatorja për standarde, e cila përpilon vlerësimin teknik dhe e dërgon tek institucionet e Kosovës dhe njëkohësisht te Grupi i Kontaktit për komente, kurse në fazën e tretë është vlerësimi politik që bëhet nga Kofi Anan, Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara”,
tha koordinatori i qeverisë së Kosovës për standardet, Avni Arifi.
Ndërkohë, Grupi i Kontaktit që llogaritej si një nga mekanizmat për vlerësimin e përmbushjes së standardeve, në fakt, sipas zyrtarëve të UNMIK-ut dhe qeverisë, nuk do të ketë një rol të tillë. Grupi i Kontaktit sipas tyre është i përfshirë drejtpërdrejt në proces:
"Është një përpjekje e përbashkët, qoftë nga grupet punuese, qoftë nga Grupi i Kontaktit që është i përfaqësuar dhe merr pjesë aktive në diskutime, prandaj edhe vlerësimi dhe dokumenti i vlerësimeve është produkt i diskutimeve dhe vlerësimeve që bëhen në grupet punuese," tha zëdhënësi Singh, duke sqaruar se vlerësimi teknik i standardeve që do të bëhet nga koordinatorët e qeverisë, përkatësisht UNMIK-ut do t’i shkojë edhe Grupit të Kontaktit, pavarësisht se ata marrin pjesë drejtpërdrejt në diskutimet lidhur me vlerësimin e përmbushjes së standardeve në grupet punuese. Vlerësimi i standardeve rresht për rresht pritet të bëhet gjatë këtij muaji, ndërsa vlerësimi përfundimtar teknik dhe ai politik do të bëhen në fund të majit, përkatësisht në fillim të qershorit.



XS
SM
MD
LG