Ndërlidhjet

logo-print

GËRXHALIU: SHOH NJË NEGLIZHENCË DHE MOSANGAZHIM TË INSTITUCIONEVE VENDORE PËR ÇËSHTJEN E TË PAGJETURVE


Arsim Gërxhaliu, anëtar i komisionit qeveritar për personat e pagjetur

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gërxhaliu, çfarë parasheh korniza e bisedimeve për çështjen e kthimit të kufomave të shqiptarëve që janë gjetur në varrezat masive në Serbi dhe si është duke vijuar procesi i kthimit të tyre?

ARSIM GËRXHALIU
Së pari do të kisha filluar nga përpilimi i kornizës, i cili ka filluar që para datës 16 mars, kur ka qenë e paraparë mbajtja e dialogut. Kjo kornizë i është ofruar si neve grupit punues, ashtu dhe palës serbe. Në atë kohë kemi patur mundësi që t'i japim kritikat tona dhe faktikisht kjo kornizë ka qenë e përpiluar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Pranimi i kësaj kornize është bërë më 16 mars në Beograd, kur është nënshkruar nga dy udhëheqësit e grupeve. Kjo kornizë e bisedimeve nuk bën fjalë vetëm për gjetjen apo identifikimin e të pagjeturve, zbulimin e tyre vetëm në Serbi, por e njëjta vlen edhe në anën e kundërt; që do të thotë se të njëjtat kërkesa, të njëjtat pyetje i ka dhe pala serbe për ata që u mungojnë në Kosovë. Kështu që nga lista e cila është marrë për bazë, del se mbi 3000 persona janë të zhdukur. Në kuadrin e kësaj hyjnë edhe mbi 500 persona ende të zhdukur të palës serbe, mbi 2000 shqiptarë dhe përafërsisht mbi 200 të minoriteteve të tjera. Procesi i kthimit nuk ka ndonjë ndryshim nga e kaluara. Tani para disa ditësh kemi patur kthimin e 42 kufomave prej Beogradit. Faktikisht trendi nuk ka ndonjë përmirësim, por ende na mbeten edhe rreth 2 muaj që të sjellim rezultate deri në takimin e ardhshëm më 9 qershor, i cili do të mbahet në Prishtinë. Ne kemi mbledhje të rregullta me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe jemi faktikisht duke punuar që sado kudo ky proces të përshpejtohet dhe të sjellim rezultate konkrete, gjë që është kërkuar edhe nga udhëheqësi i këtij dialogu, zoti Fransuashta.

RADIO EVROPA E LIRË
Regjistri i vetëm i personave të zhvarrosur ka qenë i Kryqit të Kuq. A egzistojnë të dhëna të tjera?

ARSIM GËRXHALIU
Regjistra egzistojnë disa. Është regjistri i zyrës për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore, i cili është shumë i përafërt me regjistrin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.Regjistri i Kryqit Ndërkombëtar është marë për bazë për të dyja palët, por nuk do të thotë që ky regjistër do të jetë fiks. Egzistojnë mundësitë e përpilimit apo shtimit të numrave të personave të tjerë, të cilët mungojnë në atë regjistër. Faktikisht në këtë regjistër duhet të punohet që nga baza dhe ky regjistër duhet t'i ofrohet secilit asociacion komunal në Kosovë dhe këtu egziston mundësia e shtimit dhe përpilimit të numrave po qe se mungon diçka. Nuk do të thotë se ky regjistër është i fiksuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa janë angazhuar institucionet vendore dhe ndërkombëtare që kufomat e shqiptarëve të gjetura në varrezat masive në Serbi, të kthehen në Kosovë?

ARSIM GËRXHALIU
Po qe se bëjmë një ndarje në mes të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, institucionet ndërkombëtare, për shkak se Departamenti i Drejtësisë futet në të drejtat e rezervuara të UNMIK-ut, e kryen punën e vet aq sa ka sjellë rezultate, të cilat janë aktuale brenda 3 viteve të fundit prej kur egziston zyra për personat e zhdukur dhe mjeksi ligjore. Kjo punë ka ardhur në suaza të kanalizimit qendror të punës dhe tani faktikisht çdo gjë është në vendin e vet dhe punohet në mënyrë profesionale. Sa i përket institucioneve vendore, këtu ngushtohen pak hapësirat e veprimit, por unë personalisht e shoh një neglizhencë dhe mosangazhim të institucioneve vendore dhe për këtë çështje kaq të ndjeshme, kërkoj që institucionet vendore të jenë shumë më syçelur në këtë aspekt dhe të na qëndrojnë në ndihmë sidomos grupeve punuese për këtë çështje. Deritani nga aspekti financiar asnjëherë nuk ka egzistuar ndonjë ndihmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gërxhaliu, a ka patur të meta gjatë procesit të identifikimit dhe kthimit të deritanishëm të kufomave të shqiptarëve nga varrezat masive në Serbi?

ARSIM GËRXHALIU
Kur flasim për identifikim nuk mund të marrim për bazë vetëm kthimin nga Serbia, kemi identifikim edhe përbrenda Kosovës, ka identifikim ende edhe në Bosnje. Ky është një proces faktikisht gjithëpërfshirës në tërë ish-Jugosllavinë. Mirëpo sa i përket identifikimit ne jemi të varur shumë edhe nga analizat e ADN-së të cilat bëhen në Komitetin ndërkombëtar për personat e zhdukur dhe laboratori është në Bosnje Hercegovinë. Në këtë laborator nuk është vetëm gjaku dhe mostrat e eshtrave të shqiptarëve, aty janë edhe mostrat e serbëve kroatëve boshnjakëve. Është një laborator i shtrenjtë, dhe faktikisht ne jemi të detyruar që mostrat t'i dërgojmë në Bosnje. E " metë" e vetme është koha, e cila nevojitet për izolimin e ADN-së dhe procedura e gjatë teknike që nevojitet për këtë çështje. Faktikisht në njëfarë mase, nuk mund të fajësohet askush sepse vetë procedura e identifikimit është e gjatë. Kjo është pikërisht edhe problematika të cilën ne e kemi në shpjegimin që u japim familjarëve, pse një procedurë e identifikimit shkon kaq gjatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa kohë realisht ishte dashur për procesin e analizave identifikimin dhe kthimin në Kosovë të kufomave të shqiptarëve të gjetur në varrezat masive në Serbi?

ARSIM GËRXHALIU
Ky proces është duke funksionuar. Nga numri i përgjithshëm sa ka qenë në fillim 1000, deri tani, duke marë parasysh dhe 42 kufomat e kthyera para disa ditëve, kalon diku mbi 430 kufoma. Procesi i analizave ka mbërritur për një numër të caktuar të kufomave, por procedura e bartjes teknike është pak më e ngadalësuar. Ne edhe në çdo çështje që kemi parashtruar, të paktën ato kufoma të cilat kanë analizë pozitive të ADN-së të kthehen pa kurrfarë kushti. Ky proces, nëse merret me trendin e deritanishëm do të zgjatë edhe me vite të tëra. Për këtë çështje ne jemi fokusuar dhe do të punojmë sa më shumë që të jetë e mundur që këtë çështje ta shkurtojmë në minimum, edhe pse pengesat teknike kërkojnë prap se prap kohë të punës.

Intervistoi Bekim Bislimi

XS
SM
MD
LG