Ndërlidhjet

AMNESTY INTERNATIONAL: MË PAK VENDE EKZEKUTOJNË, MË SHUMË NJERËZ EKZEKUTOHEN


Don Hill

Grupi për të drejtat e njeriut Amnesty International, thotë se në botë gjithnjë e më shumë po rritet rezistenca ndaj dënimit me vdekje dhe shkurtohet lista e vendeve që i ekzekutojnë të dënuarit.
Amnesty gjithashtu thotë se në vendet që e zbatojnë dënimin më të rëndë, numri i ekzekutimeve mbetet i madh, ndërsa në mesin e tyre janë dhe Shtetet e Bashkuara.
Çdokush që planifikon të kryejë ndonjë krim të rëndë, duhet të ketë kujdes të mos e bëjë në Kinë, Iran, Vietnam dhe në Shtetet e Bashkuara.
Keqbërësit në këto katër vende, kanë më shumë gjasa të ekzekutohen, se sa në çdo vend tjetër të botës.
Kështu thotë organizata angleze për të drejtat e njeriut Amnesty International, e cila rreth 30 vjet lufton kundër dënimit më të rëndë.
"Amnesty International ka thirrur një konferencë ndërkombëtare kundër dënimit me vdekje që në vitin 1977", thotë Eva Dobrovolna, zëdhënëse e organizatës në Pragë.
Ekzekutimi legal i njerëzve të dënuar për krime, e ka zanafillën në historinë e lashtë. Neveria ndaj kësaj forme të ndëshkimit filloi të shfaqet në shekullin e 18-të me shkrimet e intelektualëve si Volteri. Venezuela e hoqi dënimin më të rëndë në 1863. Prej atëherë, 119 vende të tjera e kanë pezulluar ekzekutimin e kriminelëve. Vjet këtë e bënë edhe Butani, Greqia, Samoa, Senegali dhe Turqia.
Megjithatë, në raportin për vitin 2004, shifra zyrtare e të ekzekutuarve ishte 3.797. Ekzekutuesi më i pangopur, thotë Amnesty International, ishte Kina, ku zyrtarët u ndejtën mbi krye të paktën 3.400 njerëzve që u ekzekutuan në vitin 2004. Kështu, Kina i ekzekutoi 9 nga 10 të dënuarit me vdekje në botë.
Shumë më prapa mbetet Irani, me të paktën vetëm 159 ekzekutime. Pastaj radhitet Vietnami me 64, dhe Shtetet e Bashkuara me 59. Raporti thotë se përveç Shteteve të Bashkuara, të dhënat e tjera e paraqesin minimumin, sepse jo të gjitha ekzekutimet legale janë regjistruar.
Amnesty po bën fushatë që në Evropë dhe Azinë Qendrore të mos ketë dënim me vdekje. Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës janë kundërshtarë të dënimit kapital, por Dobrovolna thotë se Bellorusia dhe Uzbekistani bëjnë problem.
"Vendi i vetëm në Evropë që ende bën ekzekutime është Bellorusia. Kemi të dhëna se vetëm vjet kishte 5 raste", thotë Dobrovolna , për të shtuar se jo të gjitha rastet raportohen.
"Në vitin 2004 raportuam për ekzekutime në Uzbekistan. Dokumentuam që atje kishte 50 të dënuar me vdekje. Njerëzit atje dënohen me vdekje në gjykime jo të drejta, por edhe mbi baza të pranimeve të nxjerra me torturë", thotë Dobrovolna.
Tamara Chikunova nga organizata e Uzbekistanit "Nënat kundër Dënimit me Vdekje dhe Torturës", i tha Radios Evropa e Lirë se hallet e të dënuarve me vdekje, përkujtojnë reminishencat e kampeve naziste.
"Pasi një person të jetë dënuar me vdekje, menjëherë i reduktohen të drejtat, sipas ligjit uzbek. Në fakt, ai më nuk ka të drejta. Familjarët mund ta shohin vetëm një herë në muaj. Mbajnë uniformë me shirita, që i përkujton njerëzit nga kampet naziste të vdekjes", thotë Chikunova.
Në Shtetet e Bashkuara, dënimi ndryshon nga shteti në shtet. Muajin e kaluar, gjykata amerikane vendosi që personat nën 18 vjeç të mos mund të ekzekutohen.
Amnesty International thotë se në Iran, vitin e kaluar janë ekzekutuar të paktën 3 fëmijë.
XS
SM
MD
LG