Ndërlidhjet

VARSHAVË


Në Varshavë u mbajt një meshë e madhe nën qiell të hapur, në përkujtim të Papa Gjon Palit të Dytë.
Më shumë se 150 mijë njerëz morën pjesë në atë që autoritetet e quajtën 'lamtumira e vendit për heroin kombëtar'.
Mesha u celebrua në Sheshin Pilskudki, në vendin ku Papa e drejtoi meshën e famshme në vitin 1979.
Atij i mvishen meritat se i dha guximin opozitës antikomuniste, e cila e formoi lëvizjen sindikaliste Solidarnost, që më pas i dha fund komunizmit në Poloni në vitin 1989.
Në Vatikan, rreth 1 milionë besimtarë sot bënë homazhe para trupit të Papa Gjon Palit të Dytë, që gjendet i shtrirë në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Ndërkaq kardinalët e Kishës Katolike ende s'e kanë përcaktuar datën për konklavën, për ta zgjedhur pasardhësin e Papa Gjon Palit të Dytë.
Zëdhënësi i Vatikanit Joaquin Navarro-Valls e bëri këtë njoftim pasi kardinalët u takuan për të dytën herë pas vdekjes së Atit të Shenjtë.
Protokolli i Vatikanit thotë se konklava duhet të fillojë 15 deri 20 ditë pas vdekjes së Papës.
Në ceremoninë mortore të premten, pritet të marrin pjesë miliona pelegrinë, bashkë me rreth 200 liderë botërorë, mbretër, presidentë dhe kryeministra.
Mediat italiane kanë raportuar se për sigurinë në Vatikan dhe rrethinë janë duke u kujdesur 6.500 policë dhe karabinierë, ndërsa në qytetin e Romës janë shtuar edhe rreth 15 mijë forca tjera.
XS
SM
MD
LG