Ndërlidhjet

GASHI: SHBA-të TË MARRIN ROLIN PRIJËS NË KOSOVË


Alush Gashi, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, javën e ardhshme Grupi i Kontaktit mblidhet në Prishtinë në nivelin e drejtorëve politikë. Çfarë prisni konkretisht nga ky takim?

ALUSH GASHI
Grupi i Kontaktit në takimin e shtatorit të vitit të kaluar, pra shtator 2004 ka dhënë një porosi politike shumë të qëndrueshme për qytetarët e Kosovës se Kosova nuk mund të kthehet në gjendjen apo statusin e para vitit 1999. Sa herë që qytetarët e Kosovës apo përfaqësuesit e tyre kanë sinjal të qartë politik nga bashkësia ndërkombëtare, atëhere punojnë me një dinamikë shumë të theksuar siç është pjesëmarrja në zgjedhje, zgjedhje të suksesshme, themelimi i qeverisë, dorëzimi i vullnetshëm i kryeministrit Haradinaj në Hagë. Dhe tani ne na nevojitet një garantim i cili deklaron mosndryshimin e kufijve të Kosovës si edhe mosndarjen e Kosovës. Edhe pse në takime individuale përfaqësues të vendeve të Grupit të Kontaktit e përjashtojnë mundësinë e ndërrimit të kufijve dhe të ndarjes territoriale të Kosovës, mendoj se një garantim publik i Grupit të Kontaktit do t'u ndihmonte proceseve politike në këtë fazë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dje shefi i diplomacisë gjermane Joshka Fisher, tha në Prishtinë se për zgjidhjen e statusit të Kosovës do të duhet një konsenzus ndërkombëtar. Si e keni kuptuar ju këtë mesazh të zotit Fisher?

ALUSH GASHI
Mendoj se mesazhi i Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë është i qartë. Natyrisht se është një dëshirë që çështjet të zgjidhen me konsenzus. Por realiteti politik tregon se është vështirë që të ketë një konsenzus kur Bashkimi Evropian përbëhet prej një numri të madh të shteteve me interesa shpesh edhe të ndryshme. Ndërsa në anën tjetër kemi faktorin prijës ndërkombëtar që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë një shtet, është një administratë, prandaj dhe vizioni i tyre është më i avancuar sa i përket qëndrueshmërisë së lirisë në rruzullin tokësor dhe shtrirjes së lirisë për çdo vit e më shumë. Prandaj ne presim një rol prijës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çështjen e Kosovës dhe mendoj se ka mjaft argumente se institucionet demokratike të Kosovës, kanë një bazë të qëndrueshme për zhvillimin e proceseve për një Kosovë të pavarur dhe sovrane me një sovranitet bashkëkohor.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë fundit të muajit maj Këshilli i Sigurimit pritet të japë vlerësimin lidhur me zhvillimin e standardeve në Kosovë. Ndërkohë pritet që bashkësia ndërkombëtare të kërkojë fillimin e zbatimit të pilotprojekteve. Çfarë do të ndërmerret deri atëhere në këtë drejtim në Prishtinë?

ALUSH GASHI
Institucionet demokratike të Kosovës si dhe qytetarët e Kosovës në përgjithësi, të mbështetur nga diaspora shqiptare si dhe institucionet relevante ndërkombëtare, me seancën e majit të Këshillit të Sigurimit kanë mjaft argumente për të dëshmuar rrjedha pozitive në Kosovë. Natyrisht ne në këtë fazë jemi në një agjendë të caktuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila parasheh reformimin e pushtetit lokal në Kosovë, i cili shpesh edhe përshkruhet nën termin e decentralizimit. Prandaj ne me vullnet shumë të mirë po bëjmë përpjekje që në kuadër të udhëzimeve të institucioneve relevante ndërkombëtare që merren me pushtetin lokal, siç është Këshilli i Evropës, të gjejmë një mënyrë më të mirë se si mund ky proces të avancohet. Të gjithë parametrat vendorë dhe ndërkombëtarë tregojnë se ky është një proces i gjatë, një proces për të cilin duhen patjetër të konsultohen qytetarët e Kosovës dhe një proces, i cili duhet të ketë mbështetje financiare. Në Kosovë nuk ka rezistencë për organizimet, të cilat do t'i ofronin qytetarit të Kosovës shërbim më të mirë, por natyrisht është dhe vështirë që të pranohen presionet individuale, të atyre që nuk marrin pjesë në proces. Në këtë rast e vështirëson mospjesëmarrja adekuate e minoritetit serb.

RADIO EVROPA E LIRË
Si u përgjigjeni ju kërkesave që në grupet punuese të decentralizimit të marrin pjesë dhe përfaqësues nga Beogradi?

ALUSH GASHI
Minoriteti serb në Kosovë i ka 10 vende në Kuvendin e Kosovës. Ata kanë mjaft kapacitete udhëheqëse që të dinë se sa u nevojitet afërsia e institucioneve demokratike. Prandaj nuk ka asnjë arsye legjitime që Beogradi të vazhdojë me presione. Ne e njohim të drejtën e Beogradit që të interesohet për minoritetet jashtë territorit të vet, qoftë ato në Bullgari, Rumani, Hungari, po ashtu dhe në Kosovë e kudo tjetër, por mendojmë se ata nuk kanë të drejtë që të flasin në emër të minoritetit serb. Është çështje e minoritetit serb se kë do të kenë këshilltar. Mund të kenë këshilltarë serbë, mund të kenë këshilltarë gjermanë, francezë, amerikanë, është çështje e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Në vjeshtën e këtij viti është paralajmëruar fillimi i bisedimeve lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës. Sa do të jetë deri atëhere Prishtina e gatshme që t'i fillojë këto bisedime dhe çfarë prisni konkretisht si rezultat të tyre?

ALUSH GASHI
Pas vlerësimit teknik të të arriturave në Kosovë që përshkruhen si realizim i standardeve, do të jetë një vlerësim politik për gjendjen në Kosovë. Mendoj se zhvillimet politike në Kosovë janë argumenti më i mirë se Kosova si vend demokratik, mund t'u bashkangjitet familjeve të vendeve të pavarura dhe sovrane, me një vazhdim të ndihmës institucionale nga SHBA-të, Unioni Evropian, si dhe Kombet e Bashkuara.

Intervistoi Zijadin Gashi



XS
SM
MD
LG