Ndërlidhjet

logo-print

TOKIO


Shumë larg nga Vatikani, miliona njerëz kanë përkujtuar Papa Gjon Palin e Dytë, i cili mbahet në mend edhe për shumë vepra të tij, të cilat i kanë kapërcyer kufinjtë fetarë.
Në mbarë Azinë, Myslimanët, Budistët, Hindusët dhe Sikhët iu bashkangjitën Katolikëve dhe Krishterëve tjerë në shërbimet kishtare dhe lutjet për papën.
Në Tokio, udhëheqësi shpirtëror i Tibetit Dalai Lama u bëri thirrje njerëzve ta vazhdojnë trashëgiminë e pontifikatit, ndërsa rreth 1.500 japonezë, përfshirë princin Naruhito mbajtën një Meshë përkujtimore në Katedralën e Shën Marisë.
Kur të bëhet perandor, princi do të jetë udhëheqësi kryesor i fesë burimore japoneze Shinto.
Në Malajzi, e banuar kryesisht me popullsi myslimane, mbi 4.000 njerëz, përfshirë përfaqësuesit e bashkësive myslimane, budiste, hinduiste dhe sikhe, morën pjesë në meshën përkujtimore në Katedralën e Shën Gjonit në Kuala Lumpur.
Në Indi, vendin me shumë besime, sot përfundon dita e tretë e zisë, që qeveria i shpalli për vdekjen e papës.
Nga Jerusalemi ndërkaq, radioja izraelite njoftoi se presidentët e Izraelit dhe Sirisë, Moshe Katsav dhe Bashar Asad sot i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit në funeralin e Papa Gjon Palit të Dytë.
Shtrëngimi i duarve të dy presidentëve në qytetin e Vatikanit, është i pari pasi Izraeli dhe Siria zyrtarisht janë në gjendje lufte.
XS
SM
MD
LG