Ndërlidhjet

MILIONA NJERËZ NDEROJNË PAPËN NË FUNERALIN NË VATIKAN


Një miliardë besimtarë katolikë në mbarë botën, sot i dhanë lamtumirën e fundit Papa Gjon Palit të Dytë.
Rreth 2 deri 4 milionë pelegrinë udhëtuan në Romë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore, e cila filloi në orën 10 dhe përfundoi pak pas orës 13.
Papa, i cili vdiq të shtunën në moshën 84 vjeçare, 26 vjet ishte në krye të Vatikanit.
Në ceremoninë e sotme mortore, e cila vlerësohet se është funerali më i madh në kohët moderne, morën pjesë të paktën 200 shefa të shteteve dhe qeverive, udhëheqës të tjerë botërorë, si dhe përfaqësues të religjioneve kryesore të botës.
Ndërsa jashtë frynte një puhi pak e fortë, arkivolin e papës e mbajtën 12 veta nga Bazilika e Shën Pjetrit dhe e vendosën në altarin para katedralës masive.
Sapo filloi të duket arkivoli me trupin e pajetë, duartrokitje shpërthyen nga miliona pelegrinët dhe udhëheqësit botërorë, të cilët ishin tubuar për ceremoninë mortore në Sheshin e madh të Shën Pjetrit.
Aty ndodheshin presidenti amerikan George Bush, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan, presidenti i Iranit Mohamad Khatami, presidenti afgan Hamid Kharzai, kryeministri rus Mikhail Fradkov dhe shumë burrështetas tjerë. Në mesin e delegacioneve të shumta nga bota ishte ai i Kosovës, i kryesuar nga presidenti Ibrahim Rugova, si dhe ai i Shqipërisë i prirë nga presidenti Alfred Moisiu.
Funeralin e udhëhoqi kardinali Joseph Ratzinger, dekan i Këshillit të Kardinalëve, bashkëpunëtor i ngushtë i Papa Gjon Palit të Dytë dhe një nga kandidatët e mundshëm për trashëgimtarin e tij.
"Sot ne e varrosim Papa Gjon Palin e Dytë. Zemrat tona janë plot dhembje, por edhe me shpresë dhe falënderim", tha kardinali Ratzinger
Ai i bëri një vështrim jetës së pontifikatit prej ditëve kur punonte në fabrikë, në kohën kur Polonia ishte e pushtuar nga nazistët, e deri në ditët e fundit kur u zgjodh në krye të Kishës Katolike.
"Duke punuar në një fabrikë kimike, i rrethuar dhe i kërcënuar nga terrori nazist, ai i dëgjoi fjalët e Zotit "Më ndiqni". Në këtë kontekst të veçantë, ai filloi të lexojë libra të filozofisë dhe teologjisë. Më vonë, iu bashkangjit seminarit të fshehtë".
Ratzinger, kardinal me origjinë gjermane, u mallëngjye nga emocionet kur e përkujtoi daljen e fundit në publik të Papa Gjon Palit të Dytë, kur nga dhoma e tij i bekoi besimtarët në Ditën e Pashkëve në 27 Mars.
"Për të gjithë ne, mbetet e paharruar ajo ditë e fundit e Pashkëve në jetën e tij, kur Ati i Shenjtë me dhembjen që i shihej në fytyrë, doli në dritaren e Pallatit Apostolik dhe për herë të fundit e bekoi qytetin dhe botën", tha kardinali Ratzinger.
Në mbarë botën, sidomos në vendlindjen e Papës në Poloni, turma të mëdha njerëzish qëndruan para televizorëve për të parë ceremoninë mortore. Rreth 300 mijë njerëz u tubuan vetëm në Krakov, ku ai shërbente si peshkop para se të zgjidhet papë.
Në Romë, më shumë se 10 mijë policë, ushtarë dhe oficerë ishin angazhuar për sigurinë, kurse qielli mbi Romën ishte i mbyllur.
Pas shërbimeve fetare, këmbanat jehuan në mbarë Romën, ndërsa arkivoli i papës po kthehej brenda, ku nën kriptën e kishës, do të prehet përjetë.
Vlerësohet se ceremoniali i varrimit të Papa Gjon Palit të Dytë është një nga funeralet më të mëdha që janë mbajtur në kohët moderne, ndërsa transmetimin televiziv e kanë ndjekur miliarda njerëz në mbarë botën.
XS
SM
MD
LG