Ndërlidhjet

logo-print

KRIZA ENERGJETIKE DHE TREGU I INTEGRUAR RAJONAL


Albana Isufi, Prishtinë

Vështirësitë në furnizimin e rregullt me energji elektrike në një periudhë afatgjatë, sipas ekspertëve të energjisë, Kosova ka gjasa t’i tejkalojë edhe përmes Traktatit të Athinës mbi energjinë, i cili formën obligative do ta marrë në korrik të këtij viti.
I nënshkruar paraprakisht nga 10 shtete të rajonit, mes së cilave edhe Kosova si palë e barabartë, Traktati parasheh që qysh këtë vit të krijohet tregu i integruar rajonal i energjisë në Evropën Juglindore, e që me kohë do të mund të lidhej me tregun evropian.
Pranvera Dobruna- Kryeziu, eksperte e energjisë dhe njëkohësisht anëtare e delegacionit qeveritar për negocimin e Memorandumit, shpjegon se në rast të zbatimit të marrëveshjes, Kosova do të përfitonte mjaft.
“Kosova përfiton se i njihet sistemi energjetik i një tërësie, ku ne jemi të përfaqësuar si UNMIK-Kosova, për shkak të çështjeve legale, gjithashtu investimet në rajon tani do të përcaktohen për nivelin e rajoneve e jo për rrjetet nacionale, e meqenëse ne i kemi rezervat e thëngjillit me të mëdhatë në rajon, përmes Traktatit ne do të jemi vendi me prioritet më të madh për investime në të ardhmen”.
Por, zonja Kryeziu thotë se institucioneve tani u duhet që të hartojnë një plan aksional me qëllim që të ratifikojnë marrëveshjen më lehtë.
“Institucionet mund të them se nuk janë plotësisht të informuara mbi obligimet dhe përfitimet që vijnë nga traktati”.
Ministri i Energjetikës dhe i Minierave Et’hem Çeku, thotë se ajo që institucionet kanë bërë deri tani, është përfundimi i infrastrukturës ligjore.
“ Ka përfunduar infrastruktura ligjore, ligjet bazike janë përfunduar dhe në përfundim e sipër janë akte të tjera, ndërsa shpejt do të dërgohet në parlament edhe strategjia për çështje të energjetikës”.
Një nga obligimet që dalin nga Traktati sipas zonjës Dobruna është furnizimi i rregullt me energji elektrike, gjë që Kosova tani për tani nuk mund ta përmbushë.
“Duhet pasur infrastruktura e gatshme që mundëson kyçjen e gjeneruesve të rinj në sistem, ne duhet të kemi rrjetat interkonektive, që janë ndërlidhëse me vendet në rajon, gjithashtu edhe rrjetin distributiv, me qëllim që investitori i ardhshëm të mund të kyçet në rrjet dhe të sigurojmë një furnizim të pandërprerë dhe të rrisim shkallën e sigurisë së furnizimit, sepse ndryshe me traktat kërkohet që në momente të caktuara anëtarët nënshkruese të traktatit t’i ndihmojnë njëra-tjetrës.”
Kjo gjë për ministrin Çeku nuk është aq problematike, pasi siç thotë ai, probleme të furnizimit me energji elektrike ka tërë rajoni:.
“Sot në rajon kemi afërisht mungesë të 900 MGW energji elektrike, të gjitha vendet e rajonit e blejnë energjinë elektrike, siç e blen edhe Kosova, por nuk besoj se kjo do të zgjasë shumë për Kosovën, pasi po bëjmë studime e analiza që të eliminohet kjo çështje, që të fillojë sa më shpejt ndërtimi i një termocentrali të ri që do t’i plotësojë nevojat për konsumatorët vendorë, por edhe që Kosova të shndërrohet në eksportues.
Traktati i Athinës mbi energjinë, gazin dhe ambjentin do të fillojë së ratifikuari 6 muaj pas nënshkrimit final të traktatit nga vendet e rajonit.
I tërë projekti pritet te zgjasë 10 vjet. Në rast se ndonjë nga vendet nuk i plotëson obligimet e dala nga Traktati, vendi në fjalë do të përjashtohet nga ana e Këshillit Ministror. Traktati njihet dhe përkhrahet nga Bashkimi Evropian.



XS
SM
MD
LG