Ndërlidhjet

QYTETI I VATIKANIT


Një miliardë besimtarë katolikë dhe shumë të tjerë në mbarë botën, sot i dhanë lamtumirën e fundit Papa Gjon Palit të Dytë.
Rreth 2 deri 4 milionë pelegrinë udhëtuan në Romë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore, e cila filloi në orën 10 dhe përfundoi pak pas orës 13.
Papa, i cili ndërroi jetë të shtunën në moshën 84 vjeçare, 26 vjet ishte në krye të Vatikanit.
Në ceremoninë mortore, morën pjesë të paktën 200 shefa të shteteve dhe qeverive, udhëheqës tjerë botërorë, si dhe përfaqësues të religjioneve kryesore të botës.
Aty ndodheshin presidenti amerikan George Bush, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan, presidenti i Iranit Mohamad Khatami, presidenti afgan Hamid Kharzai, kryeministri rus Mikhail Fradkov dhe shumë burrështetas tjerë. Në mesin e delegacioneve të shumta nga bota ishe ai i Kosovës, i kryesuar nga presidenti Ibrahim Rugova, si dhe ai i Shqipërisë i prirë nga presidenti Alfred Moisiu.
Funeralin e udhëhoqi kardinali Joseph Ratzinger, dekan i Këshillit të Kardinalëve, bashkëpunëtor i ngushtë i Papa Gjon Palit të Dytë dhe një nga kandidatët e mudshëm për trashëgimtarin e tij.
"Sot ne e varrosim Papa Gjon Palin e Dytë. Zemrat tona janë plot dhembje, por edhe me shpresë dhe falënderim", tha kardinali Ratzinger, i cili i bëri një vështrim jetës së pontifikatit prej ditëve kur punonte në fabrikë, në kohën kur Polonia ishte e pushtuar nga nazistët, e deri në ditët e fundit kur u zgjodh në krye të Kishës Katolike.
Në mbarë botën, sidomos në vendlindjen e Papës në Poloni, turrma të mëdha njerëzish qëndruan para televizorëve për të parë ceremoninë mortore. Rreth 300 mijë njerëz u tubuan vetëm në Krakov, ku ai shërbente si peshkop para se të zgjedhet papë.
Në Romë, më shumë se 10 mijë policë, ushtarë dhe oficerë ishin angazhuar për sigurinë, kurse qielli mbi Romën ishte i mbyllur.
Vlerësohet se ceremoniali i varrimit të Papa Gjon Palit të Dytë është një nga funeralet më të mëdha që janë mbajtur në kohët moderne, ndërsa transmetimin televiziv e kanë ndjekur miliarda njerëz në mbarë botën.
Këshilli i Kardinalëve është caktuar të tubohet në 18 prill, për ta filluar formalizimin e procesit për zgjedhjen e trashëgimtarit të Papa Gjon palit të Dytë.
XS
SM
MD
LG