Ndërlidhjet

KUR "ELITA" HYN NË KONFLIKT ME SHOQËRINË


Parlamenti i Shqipërisë miratoi këtë javë ligjin për konfliktin e interesave, por vetë ligji në tërësi dhe mungesa e mekanizmit për zbatimin e tij e kompromentojnë që në zanafillë këtë nismë kaq të rëndësishme për rikthimin e besimit të publikut në qeveri dhe administratë shtetërore. Ligji i konfliktit të interesave nuk adreson as nepotizmin dhe as kronizmin.
Ligji i ri, i miratuar vetëm 3 muaj para mbajtjes së datës së
zgjedhjeve nuk jep shpresë se do të ndalojë nga kandidimi politikanë skandalisht të korruptuar të vendit. I votuar nga shumica në pushtet pa pëlqimin e opozitës, me sa duket ky ligj do të hyjë në ceklistën e detyrave të shtëpisë që Tirana i bën në rrugën e gjatë drejt Brukselit.
Opozita prej kohësh ka ngritur akuza ndaj anëtarëve të qeverisë që kanë konflikte të hapura interesi dhe abuzojnë me postin në favor të bizneseve personale. Me ligjin e miratuar, sipas opozitës, nuk bëhet gjë tjetër vecse legalizohet informaliteti dhe konflikti i interesit. Eshtë një teori e tërë dhe praktikë e pasur në Shqipëri që lë shteg për të ngritur akuza politike për qeveritarë dhe zyrtarë me konflikte interesi. Një përkufizim klasik i konfliktit të interesit do të ishte që asnjë qeveritar apo zyrtar nuk duhet të veprojë në mundësitë dhe
fuqitë që i jep posti për asnjë cështje në të cilën ai ka një interes financiar të drejtpërdrejtë apo edhe indirekt. Çdo njeri ka interesa personale dhe njerëz pas të cilëve janë shumë të lidhur, por nuk mund të ndodhë që të kesh përshembull një ministër Bujqësie i cili ka biznese në bujqësi, apo një ministër ndërtimi që ka tre firma ndërtimi. Sepse është njëlloj sikur djemtë dhe vajzat e gjykatësve të dalin në gjyq para prindërve të tyre. Konflikte skandaloze interesi ka
jo vetëm tek anëtarët e qeverisë, por edhe tek nivelet e tjera të qeverisjes dhe administratës, por tolerimi, heshtja dhe vonesa në adresimin e këtij problemi kanë cuar në krijimin e mentalitetit se kështu ndodh. Kush është në pushtet apo ka pak pushtet do t'a përdorë për vete dhe njerëzit e tij. Nëse jo për vete për kë atëherë?
Me amendimet e bëra në ligj, deputetët ligjëruan që bashkëshortet e zyrtarëve kanë të drejtë të kenë biznese. Në parim nuk ka asgjë të keqe, që çdo pjestar i familjes, qoftë gruaja, i biri, vjehrri, nusja, nipi, gjyshi, të merren me biznes, por ka një konflikt të qartë interesi kur personi në pushtet përdor, pushtetin publik të tij për të bërë favore dhe ndere në favor të pjestarëve të familjes së tij.
Interesi publik kërkon që vetëm më të mirët t'i shërbejnë shtetit. Kjo nuk do të thotë që rregullat kundër nepotizmit të bëhen barrierë për më të aftët, por në Shqipëri barriera ekziston dhe forcohet pikërisht kundër njerëzve të aftë që nuk kanë lidhje farefisnore apo shoqërore me zyrtarë në pushtet.
Në praktikën e konfliktit të interesave njihen edhe raste kur personi publik largohet nga posti dhe merr një vend pune në sektorin privat.
Megjithatë të hetosh këto raste të konfliktit të fjetur apo indirekt të interesit është një lloj sikur të kërkosh gjurmët kur ujkun e ke përpara syve. Një problem shqetësues me ligjin e ri, ashtu si edhe me ligje të tjera që synojnë uljen e korrupsionit dhe miradminitrimin publik, mbetet cështja e zbatimit të tij.
Pyetja e thjeshtë që nuk merr dot përgjigje është: çfarë do të bëhet në rast se dikush zbulon dhe publikon një konflikt të pastër interesi? Deri më tani denoncimet publike nuk kanë munguar, por në traditën e krijuar të shit- blerjes së votës dhe hedhjes baltë mbi të tjerët, akuzat e besueshme janë arshivuar në kapitullin legjendar "luftë politike". Institucione të tilla si Avokati i Popullit, apo Inspektoriati për Deklarimin dhe
Verifikimin e Pasurive të zyrtarëve të lartë, e mbi të gjitha
gjyqësori mund të bënin një punën të mirë nëse nuk do të bënin një sy qorr ndaj kushtetutës dhe ligjit. Nëse këto trupa mbikqyrëse dhe institucione kushtetuese do të dëshmonin se kanë jo vetëm zë, por edhe dhëmbë të fortë mbase nuk do të ishte nevoja të mbërrinim deri tek nevoja e pasjes së një ligji të vecantë për konfliktin e interesave.
Megjithatë është një pyetje tjetër që nuk do të marrë përgjigje për kohë bukur të gjatë, është një pyetje që rri si çanganë në mendjen e shumë njerëzve: si ndodh që njerëz që merren prej vitesh me politikë, që jetojnë prej saj me një rrogë modeste arrijnë të venë pasuri që do t'i kishte zili çdo biznesmen i mirëfilltë. Një rrugë e tillë po çon në polarizimin e shoqërisë dhe në krijimin e një "elite" që hyn në konflikt me shoqërinë.

Lutfi Dervishi, Tiranë

XS
SM
MD
LG