Ndërlidhjet

BISEDIMET PËR STATUSIN TË ZHVILLOHEN ME KUSHTETUTË E JO ME KORNIZË KUSHTETUESE


Albana Isufi, Prishtinë

Pozita dhe opozita pajtohen se Kosova do të kishte një pozicion më të fuqishëm në bisedimet për statusin përfundimtar, po qe se në këtë proces do të hynte me kushtetutë të re e jo me kornizën aktuale kushtetuese.
Anëtari i Kryesisë së Kuvendit që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike, Fatmir Sejdiu, thotë se ndryshimet e miratuara më herët në Kornizën Kushtetuese, të cilat u hodhën poshtë nga UNMIK-u do të duhej të fuqizoheshin.
“Ky akt formal dhe i njohjes së Kosovës nga komuniteti ndërkombëtar, do të jetë i materializuar edhe në pjesën formale, domethënë me ndërtimin e një korpusi legjislativ të Kosovës, pra me nivel kushtetute. Unë mendoj se edhe paraprakisht, sikur që kemi qenë në proces të mëhershëm, duhet të ecet në ndërtimin apo në përgatitjen e një kushtetute që do të miratohej nga Kuvendi i Kosovës”.
Partia Demokratike e Kosovës sipas sekretarit të saj Jakup Krasniqi, konsideron se nëse Kosova fillon bisedimet për statusin përfundimtar me kornizën aktuale kushtetuese, do të ketë një pozicion të dobët në këtë proces.
“Konsiderojmë se hyrja në këto bisedime me këtë status, ka shumë pika të dobëta për Kosovën. Jemi të bindur se përcaktimi i statusit politik të Kosovës, një kushtetutë në kuptimin më të mirë të fjalës, do të krijonte një mundësi dhe pozicion shumë më të lehtë edhe me përgjegjësitë e bisedimeve, pra do të mund të bisedohej me më shumë kompetencë dhe përgjegjësi për problemet që duhen trajtuar”.
Në anën tjetër zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ernest Luma, thotë se është me rëndësi që në këtë proces të respektohet vullneti i institucioneve të Kosovës, përkatësisht i qytetarëve të Kosovës.
“Natyrisht duhet të hyjmë konform rregullave dhe normave që tani janë në funksion dhe konform asaj se si funksionojnë institucionet e Kosovës. Ne e dimë që në mandatin e kaluar është miratuar kushtetuta e Kosovës e ndryshme nga Korniza Kushtetuese. Unë konsideroj se duhet të respektohet në këtë rast vullneti i deputetëve të parlamentit të Kosovës dhe i parlamentit, që është zgjedhur nga qytetarët e Kosovës.”
Vjeshta e këtij viti është paralajmëruar si kohë e hapjes së bisedimeve për statusin përfundimtar. Por, sa ka gjasa reale që deri në atë kohë të hartohet kushtetuta e re? Fatmir Sejdiu thotë se institucionet kanë fuqi që ta bëjnë këtë gjë.
“Ju e dini se në një fazë kemi miratuar disa amendamente për të ndryshuar Kornizën Kushtetuese, të cilat nuk janë pranuar nga Përfaqësuesi Special. Ne do të insistojmë që procesi rreth tyre të përfundojë si duhet dhe në proces e sipër të ndërtojmë një kushtetutë të re të Kosovës, unë mendoj se ka fuqi që të bëhet ajo punë”.
Ndërkohë shefi i grupit parlamentar PDK-së Jakup Krasniqi, vlerëson se as ndryshimet e bëra në Kornizën Kushtetuese, nuk janë të mjaftueshme, pasi Kosovës sipas tij i duhet një kushtetutë më përmbajtësore.
“Po edhe ndryshimet që janë bërë, nuk janë ndryshime thelbësore. Kosovës dhe kushtetutës së Kosovës i duhen ndryshime përmbajtësore”.
Ernest Luma nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, konsideron se shndërrimi i kornizës kushtetuese në kushtetutë, duhet të arrihet me kompromisin mes institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare.
“Më e mira do të ishte siç e thashë edhe më parë, që këto punë dhe negociata të zhvillohen konform ndryshimeve më të reja dhe konform situatës dhe avancimeve që kanë ndodhur në Kosovë”.
Muaj më parë disa ekspertë amerikanë, me kërkesën e Këshillit Kombëtar Shqiptaro- Amerikan kanë hartuar një projekt-kushtetutë të Kosovës, e cila u qe dorëzuar të gjitha institucioneve të Kosovës dhe partive politike. Atëbotë Paul Williams hartues i kushtetutës tha se është shumë e rëndësishme që para zgjidhjes së statusit përfundimtar, Kosova ta ketë të gatshme kushtetutën e saj.




XS
SM
MD
LG