Ndërlidhjet

KRYEADMINISTRATORI PETERSEN PËRGËZON TMK-NË PËR PËRPARIMET NË STANDARDIN TETË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Trupat e Mbrojtjes së Kosovës kanë shënuar përparim të dukshëm në plotësimin e standardit numër tetë, i cili përshkruan zhvillimin e tyre. Kjo është thënë sot nga ana e shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara, Soren Jessen Petersen, i cili bashkë me komandantin e KFOR-it, Yves de Kermabon, kanë zhvilluar një takim të përbashkët me komandantin e TMK-së, gjeneral lejtnant Agim Çekun. Më pas ata kanë vizituar lokalitete të ndryshme, ku TMK po punon në një projekt për kthimin e të zhvendosurve, si dhe lokalitete të tjera ku këto trupa po zhvillojnë projekte me qëllim të përfshirjes së një numri sa më të madh të pjesëtarëve të komunitetit serb në TMK. Ajo që ka arritur TMK-ja gjatë këtyre muajve dhe viteve, është shembull për punën që kërkohet të arrihet edhe në të gjitha fushat tjera në Kosovë, tha me këtë rast, kryeadministratori Petersen:
“E kam uruar gjeneralin Çeku për përparimin e madh që TMK-ja ka arritur në plotësimin e standardit tetë dhe ajo që është më e rëndësishme, e kam uruar gjeneralin Çeku dhe TMK-në për punën që po bëjnë në ndërtimin e një Kosovë shumë etnike, demokratike dhe stabile, gjë që të gjithë e duan”, tha Petersen. Shefi i UNMIK-ut tha se puna

që po bën TMK-ja, ka një domethënie edhe më të madhe sesa vetë standardet, pasi që këto trupa po angazhohen edhe në projekte të tjera, nga të cilat përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës.
Në anën tjetër, gjenerali Çeku premtoi angazhim edhe më të madh të TMK-së, jo vetëm për sa i përket plotësimit të standardit numër tetë dhe përfshirjes së serbëve në TMK, por edhe në lidhje me rolin që këto trupa mund të luajnë në projekte të ndryshme për kthimin e personave të zhvendosur në Kosovë:
“Ne e njoftuam me progresin që TMK-ja është duke bërë në plotësimin e standardit numër tetë, me punën e mirë jemi duke bërë dhe gjithashtu i ofruam që sot t’i vizitojmë edhe tre aktivitete të rëndësishme të TMK-së, njëri prej të cilëve është projekt punues që Trupat e Mbrojtjes së Kosovës janë duke bërë, për të përgatitur hapësirën për kthimin e serbëve në fshatrat Sigë dhe Brestovi të komunës së Pejës”, tha gjenerali Çeku.
Më pas, gjenerali Çeku bashkë me zotin Petersen dhe gjeneralin Kermabon, kanë vizituar disa njësite të TMK-së në Pejë, Gjakovë e Viti. Vlerësimet e sotme të zyrtarëve më të lartë të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, se TMK-ja ka shënuar përparime të dukshme në standardin numër tetë, kanë ardhur një ditë para takimit të Grupit të Kontaktit Plus, ku zakonisht bëhet një shqyrtim i zhvillimeve të përgjithshme në Kosovë, me një përqëndrim të posaçëm në çështjen e standardeve.





XS
SM
MD
LG