Ndërlidhjet

MINISTRI HAZIRI ËSHTË OPTIMIST PËR VLERËSIMET LIDHUR ME STANDARDET


Rrahman Paçarizi,Prishtinë

Fillimi i jetësimit të pilot-projekteve për komunat e reja në kuadër të reformimit të pushtetit lokal në Kosovës, është vonuar për shkak të dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës dhe shkuarjes së tij në Hagë. Kështu ka deklaruar sot për Evropën e Lirë, Ministri i Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës Lutfi Haziri, në një bisedë telefonike, teksa ndodhet në Podgoricë, kryeqytet i Malit të Zi, në përpjekjet për të siguruar kthimin e serbëve e malazezëve të zhvendosur nga Kosova, të cilët përkohësisht jetojnë në Malin e Zi.
Ministri Haziri tha se është e vërtetë që zbatimi i pilot-projekteve duhej të niste që në mesin e muajit mars, mirëpo ngjarjet rreth kryeministrit Haradinaj ishin të paparashikueshme:
"Planifikimi në situatë normale ka qenë i tillë, por nuk ka qenë e planifikuar burgosja dhe çuarja në Hagë e ish kryeministrit Haradinaj. Kështu që ky proces deri në votimin e qeverisë së re ka qenë i bllokuar, pasi për zgjidhjen e saj u desh njëfarë kohe që partitë politike e kanë shfrytëzuar në afat shumë të shkurtër dhe kjo kohë mund të kompenzohet shumë shpejt."
Megjithatë, tha ministri Lutfi Haziri, qeveria tashmë e ka një dinamikë të re dhe sa i përket qeverisë, ajo është e gatshme, sipas tij, që të fillojë procesin e zbatimit. Mirëpo, qeveria aktualisht po përballet me kërkesat e Grupit të Kontaktit dhe shefit të UNMIK-ut për të arritur një konsenzus të përgjithshëm në Kosovë për çështjet me rëndësi të veçantë, siç është reforma e pushtetit lokal.
Ndërkohë, nesër drejtorët politikë të Grupit të Kontaktit do ta takohen në Prishtinë, ku do të njihen me vlerësimin rresht për rresht që grupet punuese i kanë bërë përmbushjes së standardeve prioritare. Një nga prioritetet është edhe reforma e pushtetit lokal, ndërsa pilot projektet duhej të kishin filluar të zbatoheshin më 15 mars. Ministri Lutfi Haziri, tha se nuk besonte që ka ndonjë pnegesë për vlerësim pozitiv të standardeve:
"Sa i përket palës kosovare nuk ka kurrfarë pengese që e pengon vlerësimin pozitiv. Ttashmë si institucion serioz jemi treguar shumë seriozë për marrjen e përgjegjësive, kështu që nuk e pengon zbatimin, por faza se kur do të fillojë ai varet nga ajo se kur do të arrihet konsenzus për këtë çështje"
Ndërkohë, subjektet politike të opozitës kanë kërkuar disa herë konsenzus ndërmjet të gjitha forcave politike për çështjet e mëdha, me çka janë pajtuar edhe presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dhe kryeministri Bajram Kosumi. Në atë takim, çështje me interes të veçantë u cilësuan decentralizimi, standardet dhe përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës.


XS
SM
MD
LG