Ndërlidhjet

RUPEL: ZGJEDHJET E VERËS TEJET TË RËNDËSISHME


Alma Çupi, Tiranë

Zgjedhjet parlamentare të kësaj vere janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Kjo është ajo që u kam bërë të ditur drejtuesve të qeverisë dhe të partive në opozitë, tha kryetari i radhës i OSBE-së, dhe Ministri slloven i Punëve të Jashtme Dimitrij Rupel, në një konferencë të përbashkët shtypi me Ministrin e Punëve të Jashtme shqiptare Kastriot Islami.
"Zgjedhjet janë shumë të rëndësishme dhe besoj se edhe zoti Islami bie dakort me mua për këtë. Nga takimet që pata sot me qeverinë dhe partitë në opozitë, vura re se kodi zgjedhor është pranuar nga të gjithë. ODHIR dhe OSBE do të asistojnë dhe do të monitorojnë procesin elektoral, në mënyrë që të provojmë që ky është një proces demokratik dhe zgjedhjet janë bërë sipas të gjitha rregullave", tha zoti Rupel.
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Kastriot Islami, tha se qeveria është e gatshme të bashkëpunojë me OSBE-në dhe ODHIR-in me qëllim që Shqiperia të zhvillojë zgjedhje sipas standardeve evropiane.
" Kam gjetur rastin të falenderoj dhe të mbështes të gjitha iniciativat e Sllovenisë dhe të gjitha iniciativat politike të kryesisë së OSBE-së. Po kështu kam garantuar se qeveria aktuale është e gatshme të bashkëpunojë në aspektin politik dhe teknik me OSBE-në, ODHIR-in dhe prezencën e saj në Tiranë".
Edhe situata në rajon ka qenë tema e diskutimit mes dy homologëve, ku janë vlerësuar zhvillimet në Ballkan sidomos në Kosovë. Të dy ministrat e jashtëm thanë se Kosova ka bërë përparime të dukshme në plotësimin e standardeve të kërkuara që do t’i hapë rrugën e statusit.
Kryetari i radhës i OSBE-së, Ministri slloven i Punëve të Jashtme Dimitrij Rupel, më pas zhvilloi takime me presidentin Alfred Moisiu dhe kryeministrin Fatos Nano.
XS
SM
MD
LG