Ndërlidhjet

BEOGRAD


Presidenti i Serbisë Boris Tadiç do t'i bëjë ftesë për bisedime presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, tha diplomati gjerman Michael Scheffer, i cili në Beograd qëndroi në kuadër të vizitës së Grupit të Kontaktit.
Scheffer gjithashtu tha se Beogradi do ta mbështesë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në grupin punues për decentralizimin, dhe do t'i inkurajojë ata që të inkuadrohen edhe në grupet tjera punuese, ndërsa në fund edhe në institucionet e Kosovës
Në konferencën për shtyp të drejtorëve politikë të ministrive të jashtme të 6 vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit, ai tha se "është mirë që të gjitha palët", të cilat do të marrin pjesë në bisedimet për statusin e Kosovës, "janë dakord se nuk ka ndarje dhe nuk ka kthim në gjendjen para vitit 1999". "Kjo domethënë se po i afrohemi kompromisit", tha Scheffer.
Diplomati rus Vladimir Çizhov refuzoi të flasë për rezultatin e bisedimeve mbi statusin e Kosovës, por tha se përparimi në procesin do të varet nga plotësimi i standardeve të një shoqërie demokratike, siç janë shumëetniciteti, respektimi i të drejtave të pakicave, kthimi i të zhvendosurve, pjesëmarrja e pakicave në pushtet, decentralizimi dhe mbrojtja e trashëgimisë historike dhe fetare.
Diplomati britanik John Soyers tha se "opcioni i pavarësisë ka mbështetje shumë të madhe në Kosovë", prandaj "duhet ai të jetë në tryezë".
Përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit, sot dhe nesër do të qëndrojnë në Prishtinë, ku me zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë do të diskutojnë procesin e standardeve.
XS
SM
MD
LG