Ndërlidhjet

PARALAJMËROHEN NDRYSHIME NË KFOR


Augustin Palokaj, Bruksel

Komandanti i NATO-s për Evropën, gjenerali James Jones, ka thënë sot se autoritetet ushtarake të kësaj aleance, janë duke planifikuar të modifikojnë misionin në Kosovë, në të cilin janë mbi 17 000 ushtarë, në mënyrë që të jetë më shumë përqëndrimi me trupa në terren sesa në logjistikën mbështetëse.
Ne kemi shumë bishta në pak vend, ka thënë simbolikisht gjenerali Jones, i cili ka shtuar se kjo nuk ka të bëjë fare me zvogëlimin apo jo të detyrimeve të NATO-s në Kosovë. Ne dëshirojmë të bëjmë më shumë në Kosovë e jo më pak ka thënë ai, duke patur parasysh sidomos këtë vit, kur priten vendime të rëndësishme për Kosovën dhe statusin e saj. Jones ka krahasuar misionin e NATO-s në Kosovë me atë në Afganistan, ku sipas tij vetëm 8500 ushtarë të NATO-s kontrollojnë një territor 30 herë më të madh sesa Kosova. Gjenerali Jones ka thënë se misioni në Kosovë nuk përshtatet më me konceptet moderne ushtarake, sepse është i bazuar në një koncept të vjetëruar. Numrat nuk janë më të rëndësishëm në shekullin 21, por është e rëndësishme mënyra se si përdoren ato numra dhe ata ushtarë, ka thënë gjenerali Jones, duke paralajmëruar se ndryshimet në misionin e NATO-s në Kosovë, mund të miratohen edhe në takimin e ministrave të mbrojtjes që zhvillohet në qershor në Bruksel.
Ndërkohë sot në Bruksel Komisioni Evropian ka miratuar studimin e fizibilitetit për Serbinë dhe Malin e Zi, me të cilin konfirmon se ky union shtetëror është i gatshëm për të nisur negociatat me BE-në për marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit. Kosova nuk përfshihet fare në këtë raport, përveçse në pjesën e cila flet për obligimet ndërkombëtare të Serbisë dhe Malit të Zi, në mes të të cilave është dhe obligimi për të respektuar rezolutën 1244, të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Përmes këtij studimi të fizibilitetit, Beogradit i dërgohet porosi se një sjellje konstruktive ndaj çështjes së Kosovës do ta ndihmojë rrugën e Serbisë dhe Malit të Zi drejt BE-së, ndërsa obstruksioni i zhvillimeve në Kosovë do të bëhet pengesë në këtë rrugë.

XS
SM
MD
LG