Ndërlidhjet

logo-print

JESSEN PETERSEN DHE KOSUMI TË SHQETËSUAR PËR VONESAT NË DECENTRALIZIM


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Grupi i Kontaktit do të jetë shumë i interesuar të dëgjojë nga kryeministri i Kosovës për zhvillimet rreth decentralizimit, ka thënë sot në Prishtinë kryeadministratori i Kosovës Soren Jessen Petersen, vetëm disa orë para se të takohet me anëtarët e Grupit të Kontaktit, të cilët sot do të kenë takime joformale me udhëheqës vendorë e ndërkombëtarë të Kosovës dhe nesër do ta kenë takimin e rregullt. Shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, e bëri këtë deklaratë pas një takimi me kryeministrin e Kosovës Bajram Kosumi, me ç’ rast tha se vizita e Grupit të Kontaktit është një vizitë shumë e rëndësishme që vjen në një kohë të rëndësishme për Kosovën:
"Grupi i Kontaktit do të jetë shumë i interesuar të dijë nga kryeministri për procesin e decentralizimin, që është një çështje e rëndësisë së lartë," tha zoti Jessen Petersen, duke u shprehur i shqetësuar për faktin që është humbur momenti i duhur për fillimin e jetësimit të pilot-projekteve në kuadër të procesit të decentralizimit dhe reformës së pushtetit lokal:
"Nuk dua ta fsheh faktin që edhe kryeministrit ia kam shprehur shqetësimin tim se gjatë kohës së dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj dhe zgjedhjes së qeverisë së re, është shkaktuar një humbje e momentit të duhur për decentralizimin," tha zoti Jessen Petersen, duke shfaqur megjithatë besimin e tij që Grupi i Kontaktit në takimin e nesërm, do ta vlerësojë pozitivisht angazhimin e qeverisë dhe përparimin e bërë. Ai tha se të premten e shkuar është mbajtur mbledhja e grupit mbështetës për decentralizimin, në të cilën janë marrë vendime të rëndësishme, mbi të cilat sërish do ta shohim një përcaktim të fuqishëm për të ecur përpara në këtë proces.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, tha se u kishte shkruar letër ministrave të jashtëm të Grupit të Kontaktit, duke i njoftuar për përparimin që ka bërë Kosova, me gjithë dhimbjen lidhur me zhvillimet rreth dorëheqjes dhe shkuarjes në Hagë të zoti Ramush Haradinaj, gjë që është reflektuar edhe në procesin e decentralizimit:
"Në decentralizim ka disa ngecje për shkak të atyre zhvillimeve, mirëpo nuk ka ngecje në konceptin tonë për decentralizimin. Decentralizimi si proces do të fillojë e madje do të fillojë edhe reforma e pushtetit lokal dhe kjo do të fillojë me pilot-komunat".
Kryeministri Kosumi tha se po të mendohet për hartimin e ligjit për reformë dhe decentralizim, do të duhet kohë e gjatë dhe buxhet i madh, "ndërsa ne nuk e kemi asnjërën, as kohë dhe as buxhet", tha zoti Kosumi duke paralajmëruar se për këtë do të kërkojë pajtueshmërinë edhe nga opozita:
"Unë gjatë kësaj jave do të tentoj të takohem me udhëheqësit e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës, që edhe një herë t’i rishqyrtojmë pozicionet tona dhe mundësisht të kemi një konsenzus të të gjitha grupeve. Por, edhe nëse nuk arrijmë konsenzus në këtë çështje, detyra ime si kryeministër dhe detyra e qeverisë, është që para qershorit të bëj diçka konkretisht në terren dhe këtë do ta bëjmë".
Sidoqoftë, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha se shpreson për një vlerësim pozitiv të raportit të tij nga Grupi i Kontaktit lidhur me përparimet në përmbushjen e standardeve. Drejtorët politikë të Grupit të Kontaktit është thënë se takohen sonte në Prishtinë në një darkë pune me udhëheqësit vendorë dhe ndërkombëtarë.

XS
SM
MD
LG