Ndërlidhjet

GK: NUK KA NDARJE, NUK KA KTHIM NË GJENDJEN PARA '99, NDËRSA PAVARËSIA DUHET TË JETË NË TRYEZË


Pas bisedimeve të djeshme me zyrtarët më të lartë të bashkësisë shtetërore Serbi-Mali i Zi, drejtorët politikë në ministritë e jashtme të 6 vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, sot mbajtën një konferencë për shtyp në ambasadën e Rusisë në Beograd, në të cilën u theksua se zyrtarët e Beogradit kanë shprehur gadishmëri për dialog me autoritetet në Prishtinë dhe se presidenti i Serbisë Boris Tadiç ka paralajmëruar se presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova do ta ftojë për bisedime në Beograd.
Nuk ka ndarje të Kosovës dhe nuk ka kthim në gjendjen para vitit 1999. Ky është qëndrimi i përbashkët i të gjitha palëve, të cilat do të marrin pjesë në bisedimet për statusin e Kosovës. "Kjo domethënë se po i afrohemi kompromisit", tha diplomati gjerman Michael Scheffer.
Ai gjithashtu e theksoi domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në institucionet në Prishtinë.
"Me gëzim i pritëm dy mesazhet që na i thanë bashkëbiseduesit nga Serbia. I pari është se autoritetet e Beogradit do ta mbështesin dhe do ta inkurajojnë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në
grupin punues për decentralizimin, si dhe do t'i inkurajojë ata që të inkuadrohen edhe në grupet e tjera punuese, ndërsa në fund edhe në institucionet e Kosovës," tha Scheffer.
Mesazhi i dytë, vazhdoi diplomati gjerman, është se do të mbështetet dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa presidenti i Serbisë Boris Tadiç, paralajmëroi se do ta ftojë për bisedime në Beograd presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.
Diplomati rus Vladimir Çizhov, refuzoi të flasë për rezultatin e bisedimeve mbi statusin e Kosovës, por tha se përparimi në proces do të varet nga plotësimi i standardeve të një shoqërie demokratike.
"Grupi i Kontaktit ka theksuar se zbatimi i standardeve dhe zgjidhja e statusit të ardhshëm të Kosovës, duhet të bazohen mbi shumë-etnicitetin, respektimin e të drejtave të pakicave, kthimin e të zhvendosurve, pjesëmarrjen e pakicave në pushtet, decentralizimin, mbrojtjen e trashëgimisë historike dhe fetare, si dhe luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit", tha diplomati rus Vladimir Çizhov.
Përfaqësuesja e Luksemburgut, vendit kryesues të Bashkimit Evropian, Silvija Lukas, tha se zgjidhja e statusit të Kosovës do t'i kontribuojë përfundimit të proceseve integruese evropiane të Serbisë e Malit të Zi.
"Në bisedimet me autoritetet e Baogradit gjithashtu theksuam se çdo zgjidhje e statusit të Kosovës do të jetë e inkuadruar në Bashkimin Evropan si tërësi," tha përfaqësuasja e Luksemburgut.
Diplomati britanik John Soyers, tha se "opcioni i pavarësisë ka mbështetje shumë të madhe në Kosovë", prandaj "duhet ai të jetë në tryezë".

XS
SM
MD
LG