Ndërlidhjet

PRISHTINË


Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova nuk dëshiron bisedime të drejtpërdrejta politike me Beogradin, por insiston në "njohjen formale të pavarësisë së Kosovës", ka deklaruar Muhamet Hamiti, zëdhënësi i presidentit të Kosovës.
"Në rast të një tubimi ndërkombëtar, i cili do të kishte për qëllim rrumbullaksimin e çështjes së pavarësisë së Kosovës, fqinjët mund të marrin pjesë por pa të drejtën e vetos", thuhet në komunikatën e lëshuar në Prishtinë.
"Takimet dypalëshe të udhëheqjes së Kosovës dhe të Serbisë për rregullimin e çështjeve që kanë mbetur si pasojë e luftës dhe jetesës së përbashkët në një krijesë, e cila më nuk ekziston, mund të organizohen pas njohjes së pavarësisë së Kosovës", thuhet mes tjerash në komunikatë.
Sot, diplomati gjerman Michael Scheffer, i cili në Beograd qëndroi në kuadër të vizitës së Grupit të Kontaktit, tha se presidenti i Serbisë Boris Tadiç do t'i bëjë ftesë për bisedime presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.
Scheffer gjithashtu tha se Beogradi do ta mbështesë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në grupin punues për decentralizimin, dhe do t'i inkurajojë ata që të inkuadrohen edhe në grupet tjera punuese, ndërsa në fund edhe në institucionet e Kosovës
Në konferencën për shtyp të drejtorëve politikë të ministrive të jashtme të 6 vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit, ai tha se "është mirë që të gjitha palët", të cilat do të marrin pjesë në bisedimet për statusin e Kosovës, "janë dakord se nuk ka ndarje dhe nuk ka kthim në gjendjen para vitit 1999". "Kjo domethënë se po i afrohemi kompromisit", tha Scheffer.
Diplomati rus Vladimir Çizhov refuzoi të flasë për rezultatin e bisedimeve mbi statusin e Kosovës, por tha se përparimi në procesin do të varet nga plotësimi i standardeve të një shoqërie demokratike.
Diplomati britanik John Soyers tha se "opcioni i pavarësisë ka mbështetje shumë të madhe në Kosovë", prandaj "duhet ai të jetë në tryezë".
Përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit, sot dhe nesër do të qëndrojnë në Prishtinë, ku me zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë do të diskutojnë procesin e standardeve.
XS
SM
MD
LG