Ndërlidhjet

AUTORITETET E KAMPIT ZHITKOVC PARALAJMËROJNË PËR KATASTROFË HUMANITARE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Në vendbanimin Zhitkovc, tre kilometra larg komunës së Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës, që nga mbarimi i luftës e këndej, në një kamp refugjatësh janë strehuar 39 familje rome, me 197 banorë prej tyre 100 fëmijë, të cilët kërcënohen nga një katastrofë humanitare. Në fakt një depo mbeturinash nga një minierë plumbi ndodhet në afërsi të këtij kampi. Kjo sipas autoriteteve të kampit, ekspertëve dhe autoriteteve komunale, shkakton një prani të madhe të plumbit në gjak, që gradualisht dobëson dhe sëmurë rëndë organizimin e njeriut, që reflektohet më tepër në rrezikimin e jetës tek fëmijët dhe gratë shtatëzëna. Kryetari i këtij kampi Habib Hajdini, tregon se si një fëmijë 3 vjeç ka vdekur vitin e kaluar si pajojë e pranisë së madhe të plumbit në gjak:
“Mund të them 100 për qind se ai fëmijë ka vdekur nga kjo sëmundje, sepse e kam parë vetë se si ai është sëmurur dhe si ka vuajtur derisa është paralizuar dhe ka vdekur”, thotë Hajdini. Fëmisë nuk ka mund t’i shpëtohet jeta, as pas ndërhyrjeve mjekësore në Kragujevc, shpjegon ai.
Ndërkaq gjatë këtij një fëmijë tjetër i çiftit Sheribane e Naim Mehmeti, si pasojë e simptomave të njëjta, të plumbit të shtuar në gjak, thuhet se është dërguar në Beograd për mjekim në spital. Lidhur me simptomat e vazhdueshme të kësaj sëmundje, kryetari i kampit Habib Hajdini, beson se ajo vjen nga depoja e mbeturinave të minierës së plumbit dhe kushteve të rënda higjienike që mbretërojnë aty. Shkaktarët e sëmundjes së këtij fëmije, sipas tij janë vërtetuar edhe nga mjekët në spitalin e Beogradit:
“Mjekët nga spitali i Beogradit, kanë kërkuar që ky fëmijë nuk guxon të kthehet më në kamp”, thotë Hajdini. Simptomat e para të sëmundjes, sipas tij, manifestohen me temperatura, dhembje koke e më pas edhe gjakderdhje. Por në disa raste, thuhet se si pasojë e paaftësimit të metabolizmit, kjo sëmundje shkakton dhembje të eshtrave, humbje të vetëdijës dhe kujtesës e deri në paralizë e vdekje. Hajdini tregon se si banorët aty janë të shqetësuar që këto simptoma mund t’iu paraqiten fëmijëve të tyre në çdo kohë edhe pas disa viteve.
Një vajzë 11 vjeçe, Xhulieta Toska, rrëfen se si gjenden ata gjatë ditës në kamp:
“Tani isha në Zveçan. Atje shkoj të marr bukën nëpër kontejnerë mbeturinash dhe gjëra të tjera që i sjell në çantë për vëllain tim të vogël. Kështu veproj sa herë që jam e uritur”, thotë Xhulieta. Nëna e saj Xhemilja thotë se fëmijët e saj si edhe të familjeve të tjera ankohen vazhdimisht për gjendjen e tyre shëndetësore:
“Fëmijët tanë në kamp më tepër janë të sëmurë sesa të shëndoshë dhe vazhdimisht mbetemi duke i dërguar nëpër kontroll tek mjeku”, rrëfen e ema Xhemilja.
Ndërkohë, autoritetet komunale, të cilat në disa raste janë fajësuar nga organizata të ndryshme humanitare për qëndrim indiferent, kërkojnë ndihmën e të gjitha institucioneve të Kosovës për ta mbyllur këtë kamp dhe për t'i kthyer familjet e strehuara aty nëpër shtëpitë e tyre. Kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miliq kërkon që institucionet qendrore të kyçen për të zgjidhur problemin para një katastrofe edhe më të madhe humanitare:
“Komuna po ndërmerr të gjitha masat që janë në mundësitë e saj që t’u ndihmojë këtyre njerëzve, por para së gjithash ende mungon ndihma nga organizatat qeveritare e jo qeveritare si edhe nga UNHCR-ja”, thotë Miliq. Ndërkohë që kryetari i kampit, Habib Hajdini, thotë se vetëm një përqëndrim i shoqërisë dhe institucioneve në ndërtimin e shtëpive të këtyre familjeve, do të mundësonte mbylljen e kampit, pasi vetëm atëherë këta qytetarë do të kishin ku të ktheheshin dhe braktisnin përfundimisht këtë kamp.


XS
SM
MD
LG