Ndërlidhjet

NOVICKI: GJENDJA SHËNDETËSORE E ROMËVE NË KAMPIN ZHITKOVC TEJET E RËNDË


Albana Isufi, Prishtinë

Ombudspersoni i Kosovës Marek Antoni Novicki, konsideron se përveç kushteve tejet të vështira për banim, banorëve romë të kampit të Zhitkovcit, iu rrezikohet shëndeti edhe nga substancat toksike, që lirohen nga depoja e mbeturinave, e cila gjendet shumë afër kampit.
“E di me siguri se te shumë fëmijë është vërtetuar se ka një nivel shumë të lartë të plumbit në gjak, kështu që është një situatë e rrezikshme për jetë, disa nga ta janë hospitalizuar në Beograd. Situata kërkon reagime urgjente, por për momentin unë nuk shoh se po merret në të vërtetë ndonjë hap serioz në këtë drejtim”, tha Marek Antoni Novicki.
Avokati i popullit thotë se romët kanë të drejtë që të kthehen në shtëpitë ku kanë jetuar përherë.
“Këta romë, kanë të drejtë që të kthehen në shtëpitë e tyre dhe në këtë rast, Lagjja e romëve në Mitrovicë, me sa e di unë, është lagjia më e vjetër e romëve në tërë Ballkanin dhe nëse ata duan që të kthehen, dikush duhet të krijojë kushte dhe s’ka diskutime për këtë gjë”, thotë Novicki, duke shtuar se kjo gjë duhet bërë nga zyrtarët e komunës së Mitrovicës.
Kryetari i kësaj komune Faruk Spahija, i tha Radios Evropa e Lirë, se deri tani ka pasur mjaft projekte për kthimin e romëve, por sipas Spahisë, pengesë ka qenë mungesa e fondeve, por edhe mosgatishmëria e autoriteteve ndërkombëtare, që të lejojnë rindërtimin e lagjes së romëve buzë lumit Ibër, siç thotë Spahija, për shkaqe të sigurisë. Spahija shpreson se brenda këtij viti të paktën 100 familjeve rome do t’u mundësohet largimi nga kampi.
“Unë me arsye e kam theksuar që do të ishte me vend që familjet e para që do të përfshihen në kthim të jenë pikërisht familjet nga këto tre kampe me qëllim shumë human që kampe të tilla të shuhen. Strategjia jonë komunale parasheh që këtë vit të kryhen shumë punë për kthimin e romëve".
Por, edhe kjo varet nga sigurimi i donacioneve, që fillimisht kapin shumën prej 2. 5 milionë eurosh.
Në anën tjetër zyrtarët e UNMIK-ut, kanë pohuar se janë duke përpiluar një plan për zgjidhjen e problemit të kampit të Zhivkovcit.
"Aktorët kryesorë të këtij procesi janë duke e finalizuar një plan që do t’iu adresohet menjëherë problemeve shëndetësore, derisa në të njëjtën kohë, të gjendet një zgjidhje më afatgjatë për tërë problemin,” thotë zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh, pa dhënë detaje tjera rreth këtyre planeve.
Ndërkohë, Marek Antoni Novicki ka deklaruar se meqenëse kampi gjendet në veriun e Kosovës, ku institucionet e Kosovës nuk kanë qasje, barra më e madhe për zgjidhjen e problemit bie mbi UNMIK-un.
“Është e vërtetë se situata është e komplikuar, për këtë arsye, për dallim nga pjesët e tjera të Kosovës, barra më e madhe bie mbi UNMIK-un. Por, ajo që është e rëndësishme kur flasim për këtë rast, zgjidhja varet te kthimi i romëve në Lagjen e romëve, dhe kjo varet nga vullneti dhe përpjekja e zyrtarëve të Mitrovicës jugore”, deklaroi Marek Antoni Novicki.
Ndërkohë, zyrtarë të Komisariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, kanë deklaruar se nuk ka shifra të sakta të personave që kanë vdekur apo janë sëmurë për shkak të helmimit me plumb, megjithatë sipas tyre disa romë kanë vdekur nga bronkiti kronik, derisa ekipet mjekësore nuk kanë mundur të thonë se vdekja ishte pasojë e helmimit me plumb.
Megjithatë, UNHCR vlerëson se në kamp egziston një situatë emergjente mjekësore.



XS
SM
MD
LG