Ndërlidhjet

logo-print

(S)A JANË TË (PA)BAZUARA AKUZAT PËR KORRUPSION DHE KRIM TË ORGANIZUAR?


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Opozita dhe pozita në Kosovë kanë vazhduar akuzat dhe kundërakuzat lidhur me pohimet e Partisë Demokratike të Kosovës, se anëtarë të kabinetit të qeverisë aktuale të Kosovës janë të përfshirë në krimin e organizuar, në krimin ordiner dhe në korrupsion. Në anën tjetër, të apostrofuarit në këtë akuzë të subjektit më të madh opozitar, thonë se ato nuk janë asgjë më shumë se shpifje qëllimkëqija.
Adem Salihaj, zëvendëskryeministër i Kosovës, tha se nga ajo pjesë e vogël e akuzave të PDK-së që kishte parë mund të thoshte se bëhej fjalë për gënjeshtra:
"Kjo është një fushatë shpifëse plot me gënjeshtra dhe akuza të pabaza dhe vazhdimisht qëndroj pas këtyre pohimeve. Unë nuk e kam atë raport famoz të PDK-së. Nga ajo pak që ka dalë në mediat e shkruara, unë shoh që ato janë disa shpifje dhe akuza monstruoze që nuk kanë të bëjnë fare me realitetin dhe unë kam thënë se nuk kam asgjë të përbashkët me ato që janë thënë aty."
Mirëpo, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Fahmi Mujota tha se dyshimet për veprime të tilla egzistojnë dhe i mbetet sistemit të drejtësisë që t’i vërtetojë apo t’i mohojë:
"Dyshimet janë dyshime, por mbështetja e tyre do të duhej vërtetuar nga organet kompetente. Ne kemi besim të plotë në organet e sigurisë që do ta bëjnë punën e tyre."
Zoti Salihaj ka kritikuar edhe UNMIK-un, që sipas tij është instrumentalizuar nga PDK-ja, e cila ia ka dorëzuar një dokument me këto dyshime pikërisht UNMIK-ut dhe jo policisë.
"Në anën tjetër unë jam kundër faktit që është instrumentalizuar UNMIK-u për qëllime të PDK-së, sepse zoti Hashim Thaçi dhe PDK-ja e dinë fare mirë se ku është policia dhe prokuroria dhe kanë mundur ta dërgojnë vetë, por duke qenë të vetëdijshëm se pamfleti përmban vetëm shpifje dhe një denoncim i rrejshëm dënohet me ligj nuk e kanë bërë".
Mirëpo, zoti Fehmi Mujota nga Partia Demokratike, tha se UNMIK-u është pikërisht adresa e duhur, pasi policia dhe gjyqësia janë në duart e UNIK-ut. Ai tha se adresa tjetër ku kjo parti insiston të shqyrtohet kjo çështje është parlamenti:
"Partitë politike kanë obligimet e tyre dhe nëse përpiqemi që me heshtje të mbulojmë veprimet e tyre, do të bëjmë gabim të dyfishtë",tha zoti Mujota, ndërkohë që zëvendëskryeministri Adem Salihaj tha se do të ishte shumë i interesuar që raport i PDK-së të bëhej publik, në mënyrë që opinioni ta shohë se aty ka vetëm gënjeshtra dhe shpifje. Ai tha se personalisht do të iniciojë proçedurë për shpifje:
"Unë natyrisht do të inicioj proçedura penale për shpifje dhe besoj që ka elemente edhe për fyerje, sepse është një pamflet shumë fyes kundër personalitetit tim".
Zoti Mujota nga ana e tij ka përsëritur qëndrimin se e mira e të mirës do të ishte që dyshimet e PDK-së të dilnin të pambështetura:
"Nëse ata do ta vërtetonit të kundërtën do të ishte mirë për Kosovën, por nëse nuk janë në gjendje të shkojnë deri në fund për arsye të caktuara politike, besojmë se do t’i shërbejnë për keq demokracisë në Kosovë".
Pas këtyre argumentimeve nga opozita dhe pozita, një organizatë që veten e quan Sigurimi i Atdheut, përmes internetit ka kërcënuar me vdekje Jakup Krasniqin, sekretar i PDK-së, Veton Surroin, kryetar i partisë Ora, Bujar Bukoshin, kryetar i Partisë së Re të Kosovës dhe Faik Graincën, kryetar i komunës së Ferizajt, si thuhet, për shkak të akuzave ndaj Adem Salihajt. Vetë Salihaj tha:
"Unë nuk kam asnjë lidhje dhe nuk di kush qëndron pas kësaj paraqitjeje. Merren aq shumë me një fushatë të një organizate fiktive që deri tani e kemi parë vetëm në internet e nuk merren me një organizatë që i ka zyrat në qendër të Prishtinës, pra SHIK-un që është formuar në kohën e qeverisë së Kosovës".
Ndërkaq, zoti Mujota, duke komentuar kërcënimet tha:
"Nuk paragjykojmë gjërat, por këto cytje kanë një adresë të caktuar dhe për këtë duhet të angazhohen të gjithë dhe përfaqësuesit e partive politike duhet të distancohen hapur nga këto veprime, në mënyrë që të mos identifikohen me to".
Sidoqoftë, policia tashmë ka marrë materialet dhe po shqyrton lëndën, tha Shaban Tasholli, zëdhënës i Shërbimit Policor të Kosovës. Eksperti i të drejtës penale, Haki Lecaj, tha se kur prokurori e merr atë informatë dhe atë material nga policia, vlerëson nëse ka bazë për fillimin e proçedurës, nëse ka dyshim të bazuar dhe të arsyeshëm. Nëse prokurori gjen se nuk ka vend, ai e hedh kallëzimin penal dhe njofton paraqitësin se mund të fillojë vetë ndjekjen penale, e nëse konsideron se ka bazë hap hetimet dhe e fillon proçedurën për veprën, për të cilën konsideron se ka vend.
Zoti Lecaj ka shpjeguar edhe procedurat në rast të vërtetimit apo hedhjes poshtë të dyshimeve:
"Mund të bëhet padia private në gjykatën kompetente, ose për shpifje, ose për fyerje, ose për paraqitje të rrejshme të veprës penale."
Sidoqoftë, këto akuza dhe kundërakuza e kanë ashpërsuar dukshëm fjalorin politik dhe komunikimin ndërmjet pozitës dhe opozitës, pavarësisht se fjala e fundit u mbetet organeve të drejtësisë.

XS
SM
MD
LG